Kosova

Abdixhiku për sondazhin: Një propagandë e lodhur, ndryshimi i vërtetë po vjen


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si “një propagandë e lodhur”, publikimin e sondazheve nga UBO Consulting, derisa ka treguar se tash e dy muaj, LDK-ja ka porositur një seri sondazhesh, më të mëdhaja në historinë e anketimeve në Kosovë.

“Deri më tani, kanë përfunduar mbi 17,000 anketa vetëm në regjionin qendër. Rekord anketimesh këto për të siguruar saktësi të paprecedentë statistikore. Në pyetjen se, nëse zgjedhjet nacionale mbahen këtë të diel, për cilën parti do të votonit, rezultatet për LDK, të marra deri më tani vetëm për 5 qytete në regjionin qendër janë: Prishtinë 35% Lipjan 42% Podujevë 35% Obiliq 36% dhe Fushë Kosovë 34%”, shkroi ai në Facebook.

Po ashtu ai ka treguar se anketat në këtë nivel po bëhen gjithandej Kosovës, dhe ato do të publikohen me kohë.

“Këto matje u janë prezantuar tashmë strukturave udhëheqëse të partisë, në takime të brendshme. Nuk kemi dashur t’i bëjmë publike meqë i kemi konsideruar si mjete të orientimit tonë. Të dhënat si këto, mbresëlënëse, ndonëse vetëm për një regjion, ishin shenjë e qartë e rrugëtimit tonë”.

Kreu i LDK-së ka shtuar se “propaganda u shpërfaq sonte me 800 përgjigje dhe me 17 mijë siç ishte pritur”.

“Ajo mbetet vetëm shenjë paniku e frike. Dhe në këtë panikë e frikë s’dua të flas as për kredibilitetin e kompanisë që në zgjedhjet e fundit lokale, një natë para votimeve, na kishte vendosur në vend të tretë në Prishtinë; as për mediumin që vazhdon të besojë se vetëprofecia e sondazheve do të funksionojë sërish. E kotë. Ndryshimi i vërtetë po vjen. Me të dhe fundi i propagandës”.

Ndryshe, nga sondazhi në kuadër të OMNIBUS-it që u realizua nga UBO Consulting për matjen e opinionit publik, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të printe e para në listë, duke kryesuar me 48.5.

Ndërkaq e dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 18.2 për qind, duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me 17.9 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore