Kosova

Abdixhiku për arrestimin e Molliqajt: Shije e një hakmarrjeje të pastër politike


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj duke thënë se “është shije e një hakmarrjeje të pastër politike”.

Sipas tij, arrestimi i tillë është i papranueshëm për partinë e tij dhe kundër standardeve bazike të demokracisë.

“Kurti dhe Qeveria e tij nuk guxojnë të përdorin pushtetin policor për kërcënime e arrestime politike; sidomos kur për alternativë kanë ndjekjen normale e njerëzore të rrugëve procedurale sipas rregullave tashmë të njohura”.

“I bëjë ftesë organeve të rendit të ruajnë integritetin e tyre profesional e të pavarur dhe të mos bëhen pjesë e këtij teatri politik të një Qeverie paranoike”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj arrestohet nga Policia e Kosovës.

Reagime për arrestimin e Molliqajt pati edhe nga presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behxhet Pacolli, që tha se një arrestim i tillë “është lajm i keq për demokracinë”.

“Solidarizohem gjithmonë me policinë e Kosovës por jo edhe me politizimin e saj. Unë jam i bindur se po Arrestimi sonte i Dardan Molliqajt është i padrejtë dhe i panevojshëm për shtetin demokratik që kemi ndërtuar deri tash. Arrestime të tilla nuk shihen në demokraci”, ka shkruar Pacolli në ‘Facebook’.

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj është arrestuar të martën e një shkurtit nga policia e Kosovës afër zyrave të T7, ku pritet të transmetohet drejtpërdrejtë emisioni Pressing.

Molliqaj ishte i ftuar në këtë emision për të diskutuar lidhur me protestën e fundit kundër shtrenjtimit të energjisë dhe për arrestimin e aktivistit të PSD-së.

Policia e Kosovës ishte duke e kërkuar Molliqajn që nga 29 janari kur u mbajt protesta e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike, pasi që më vonë doli një video ku shihej Dardan Molliqaj teksa goditi me një shuplakë një zyrtar policor.

Ndryshe, Molliqaj me 30 janar është deklaruar lidhur me këtë incident duke thënë se “përgjegjësia mbi incidentin më takon mua”.

“Më takon mua ta marr përgjegjësinë për incidentin teksa po përgatiteshim për të mbajtur fjalim tek qeveria. Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për atë çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal”, shkroi Dardan Molliqaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore