Lajme

Abdixhiku: Ky pra është zhvillimi i pashembullt ekonomik i Kurtit – të na lërë pa rrymë


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se një krizë energjetike e tillë është paralajmëruar tash e pesë muaj në kohën kur vendet e rajonit bënin garë për blerjen e energjisë elektrike me çmim më të lirë.

“Në mot të ngrohtë, institucionet energjetike, ekspertët e brendshëm e të jashtëm pa dallim, kishin rekomanduar kontraktimin e energjisë elektrike përderisa çmimet ishin të lira; pesëfish më të lira se sa çfarë blejmë si shtet sot”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Gjatë kohës kur të tjerët përpiqeshin të gjenin një zgjidhje për krizën energjetike, ai tha se, “kryeministri ynë krekosej nëpër qendra rajonale e evropiane me narracione fiktive për zhvillimin të pashembullt ekonomik që Kosova me të po e përjetonte”.

Korporata Energjetike e Kosovës

Ai shtoi se, “sot, zhvillimi i pashembullt ekonomik i tij është pa rrymë!”.

Ndërkaq, kërkoi përgjigje nga kryeministri se nga kush do të mund të marrin përgjigje për këtë krizë.

“Tani kë do të fajësojnë për këtë krizë? Një Qeveri që i ka krejt; i ka dhe njerëzit e vet të vendosur së fundmi në KEK e në çdo institucion tjetër energjetik, nuk arrinë të sigurojë as një produkt bazik në këtë zhvillim të pashembullt ekonomik”.

Abdixhiku i ka quajtur “rekomandime tallëse” ato të ministrisë së Ekonomisë për kursimin e energjisë elektrike.

“Për paaftësinë e tyre do të fajësohen qytetarët tanë. Për shpenzimin e energjisë në “joystick”, “larje të dhëmbëve me ujë të ngrohtë”, e për vet çmimin e lirë të energjisë. Tani edhe çmimi i energjisë na u bë i lirë. Kjo parahyrje e tyre është paralajmërim për shtrenjtimin e radhës që do t’i bëjnë”.

Çdo intervenim të Qeverisë për këtë çështje, kreu i LDK-së e ka quajtur të “vonshme” si dhe “ të shtrenjta e pa zgjidhje”.

Ndryshe, më 15 dhjetor, Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se deri të enjten në mëngjes s’do të krijohen kushtet për furnizim të Termokosit me avull për ngrohje qendrore , pak orë pasi ndërmarrja publike në kryeqytet njoftoi se ka ndërprerë ngrohjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore