Kosova

Abdixhiku, Kurtit: Shumë vonë për të propozuar tani draft për Asociacionin – ke pranuar autonomi


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi që kryeministri Albin Kurti, ka propozuar këtë të premte që ta shkruajë një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe vitin e ardhshëm, duke thënë se një veprim i tillë është i vonë.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se ka plot dy vite që LDK-ja, dhe të gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, i kërkojnë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, “i ulur në karrigen e ‘kryeministrit të shtetit të përkohshëm’” – duke iu referuar deklaratës së Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili ka thënë se Kosova është shtet i përkohshëm, duke aluduar në bashkimin me Shqipërinë – “që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës” dhe “si obligim ndërkombëtar i Kosovës”.

Por, përkundër këtyre kërkesave, Abdixhiku thekson se ka dy vite që Kurti, të cilit vazhdoi t’i referohet si ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’, “i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë”.

“Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha: ‘nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë’”, shtoi.

Por, thekson ai, “dokumenti i ndërmjetësuesit erdhi”, dhe i njëjti, sipas tij, jo si mes, “por dhe më rëndë, erdhi si autonomi!”.

“Dy muaj më pas, tek pasi ka pranuar autonominë e serbëve në Kosovë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e ‘kryeministrit të shtetit të përkohshëm’, del me propozim që tani Kosova ta shkruaj statutin e Asociacionit vet. Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas”.

“Vonë”, vlerëson ai, “shumë vonë”, insiston. “E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’ dhe Presidenti i Serbisë”.

Dhe, sipas kreut të LDK-së, jo vetëm kaq.

“Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij, na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Draft Statutin e Asociacionin me Presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë”.

Merreni me mend, shkroi ai, “një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruaj jo një President Kosove por një President, hiç më pak se ai i Serbisë”, duke shtuar se ka dy muaj që ngrisin në pah këtë, siç e quan ai, “çmenduri”, dhe “tek sot, dy muaj më pas, s’kërkon këtë nënshkrim. Nënshkrimi i draft statutit me Serbinë s’është më kërkesë”.

“Çfarë ndodhi ‘kryeministër i përkohshëm’?”, e pyeti Abdixhiku Kurtin. “E kuptove – më në fund – këtë çmenduri?”.

“A e kuptoni se sa pak di?”, vazhdoi pyetjet e tij. A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij”.

Paqëndrueshmëria e tij, pra e Kurtit, në vlerësimin e liderit të opozitës, “është thelbi i pasigurisë!”, ndërsa, sipas tij, “padituria” e Kurtit është “çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë”.

Ky reagim i Abdixhikut vjen pasi që kryeministri Kurti, është shprehur i gatshëm që ta shkruaj një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për vitin e ardhshëm, pra 2024, pas atij që u propozua nga Bashkimi Evropian, e të cilin Kosova në parim e ka pranuar.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, të cilin e ka titulluar “Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024”, ku i ka paraqitur shtatë hapa që do të ishin në funksion të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke iu përgjigjur kështu deklaratave të të Dërguarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Miroslav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiç (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, shkroi ai.

Kurti propozon që ta shkruaj një “draft modern evropian” për Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore