Kosova

Abdixhiku: Kosova gjithmonë do të jetë krah për krah me SHBA-të


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, derisa përkujtoi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka thënë se Kosova do të mbetet gjithmonë krah për krah me SHBA-të.

“Kosova do të mbetet gjithmonë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbrojtur lirinë, paqen dhe demokracinë si vlera të përbashkëta të dy popujve tanë!”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kjo tragjedi s’ishte vetëm akt dhune, por një sulm mbi vlerat e lirisë.

“Ky akt terrorist dhe barbar ishte sulm direkt jo vetëm për ShBA-të, por edhe gjithë botën perëndimore ishte sulm mbi vlerat demokratike perëndimore”.

“Sot, kur kanë kaluar mbi dy dekada nga momenti i ndodhjes së këtij akti të shëmtuar, kujtojmë dhe solidarizohemi me familjarët e viktimave të 11 shtatorit, të cilët humbën jetën pafajësish nga mania radikale e një sulmi terrorist”.

Pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, kur dy aeroplanë pasagjerësh që ishin rrëmbyer nga një grup radikalësh goditën dy kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë (WTC) në Manhattan – simbole të fuqisë politike e ekonomike të shtetit amerikan – filloi edhe lufta e SHBA-së kundër terrorizmit global.

Sulmet që sollën vdekjen e rreth 3000 personave të kombësive të ndryshme, dhe çuan në ndryshime të mëdha në politikat e sigurisë kombëtare amerikane, u planifikuan nga grupi terrorist Al Qaeda në Afganistan. Kreu i Al Qaedas, Osama Bin Laden, u vra më 2011 në Pakistan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore