Lajme

Abdixhiku: Kërkuam ta shohim draftin, s’na u mundësua – qëndrimet e kryeministrit dhe presidentes janë kontradiktore


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas fjalimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ka thënë se edhe pas deklarimit të tij vazhdojnë të jenë në terr informative.

Abdixhiku, ka theksuar se kanë kërkuar që ta shohin draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe por që nga kryesia e Kuvendit akoma nuk u është ofruar qasje.

“Akti i pranimit të këtij dokumenti nga kryeministri i Kosovës, në prani të udhëheqësve të tri shteteve kryesore dhe jo vetëm, ka natyrë të një zotimi ndërkombëtarë që nis si zotim institucional i popullit të Kosovës, i shprehur përmes përfaqësuesve të tij përkatësisht kryeministrit të vendit dhe ndonëse jemi dy javë pas, ndonëse në emër të popullit kryeministri i vendit ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e Asociacionit ne vazhdojmë të jemi në terr informative”.

“Si Lidhja Demokratike e Kosovës, nëpërmjet kryetarit të Kuvendit kemi kërkuar qasje në këtë dokument, jo vetëm për deputetët tonë, por për të gjithë deputetët e këtij Kuvendi, por një qasje e tillë nuk na është mundësuar akoma”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, tutje ka pohuar se nuk është kundër asociacionit, por që duhet të jetë kushtetues dhe jo autonomi.

“Tani unë nuk them që asociacioni kushtetues s’duhej bërë, përkundrazi them që keni bërë mirë që nga pozicioni juaj refuzuese keni arritur në atë pranues, nëse gjithmonë bëhet fjalë për asociacionin kushtetues dhe jo autonomi. Këtë ende nuk e dimë dhe për të kuptuar këtë duhet parë dokumentin”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Ndërsa qëndrimet e kryeministrit dhe presidentes për këtë çështje i ka quajtur “kontradiktore”.

“Dy zyrtarët shtetërorë, kryeministri dhe presidentja që kanë pranuar dokumentin në gjithë përbërjen e tij kanë dhënë dy qëndrime kontradiktore në përmbajtje të tij”.

“Përderisa kryeministri pretendon se statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese, presidentja si pranuese shpalos hezitimin e ngutisë për një cilësim të tillë dhe jo vetëm aq njofton dërgimin e komenteve në Kushtetuese, në rastin e parë si shenjë e parë e mospërputhjes kushtetuese”.

Sipas tij, nga deklarata e Kurtit është krijuar paqartësi pasi ai gjatë gjithë kohës ka treguar gatishmëri për ta nënshkruar marrëveshjen, por që Serbia s’ka pranuar.

“Marrëveshjet e panënshkruara janë mesjetare, por ajo që e Ohrit që e keni pranuar tani është obligim ndërkombëtarë. Këto kundërthënie vërtetë nuk arrij t’i kuptoj. Është e trishtë, ndjej keqardhje, por kjo s’është brenga ime”.

“Përtej kësaj ironie e kam vërtetë të vështirë ta kuptoj kundërthënien në vazhdimësi të llojit ‘jam i gatshëm ta nënshkruaj qysh sonte, por se kanë pranuar’. Këtë s’mund ta kuptoj”.

Pas kërkesë së opozitës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka raportuar në seancën e Kuvendit të Kosovës për takimin e 21 tetorit.

BE-ja paraprakisht ka prezantuar një “plan të ri” për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) dhe një “propozim modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë pranuar që dokumenti i ri të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme në kuadër të dialogut.

Kurti thotë se drafti që e ka pranuar për Asociacionin është i mirë, “nuk është Zajednicë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore