Lajme

Abdixhiku ‘godet’ Kurtin: LDK-ja përbashkoi diasporën për zgjedhjet evropiane, derisa ai angazhohej në përçarjen e shqiptarëve


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, konsideroi se derisa LDK-ja përbashkoi diasporën për zgjedhjet evropiane, që u mbajtën midis 6 dhe 9 qershorit, duke përkrahur dy prej mbështetësve më të zëshëm të Kosovës në Parlamentin Evropian (PE), kryeministri kosovar, Albin Kurti, angazhohej në përçarjen e shqiptarëve në rajon.

Kreu i LDK-së, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të martën, vlerësoi se për shkak të mobilizimit të diasporës rreth Partisë Popullore Evropiane (EPP), kandidati i Unionit Demokristian të Gjermanisë (CDU) dhe ai i Partisë Popullore të Austrisë (ÖVP) – David McAllister dhe Lukas Mandl – u zgjodhën edhe për një mandat në legjislativin e Bashkimit Evropian (BE).

“Gjersa të tjerët angazhoheshin në organizimin e tubimeve për ndarje të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, LDK-ja, në prill, u mor me përbashkimin e bashkatdhetarëve tanë rreth miqve të vendit. Prandaj dhe mbajtëm dy tubime mobilizuese në Hamburg e në Vjenë, si thirrje mbështetëse për Lukas e David, si kontribut patriotik ndaj vendit”, deklaroi Abdixhiku.

“Sot, dua të falënderoj secilin shqiptar që nëpërmjet votës së tyre, siguruan që zëri ynë të përfaqësohet fort në tempullin e demokracisë evropiane. Ju faleminderit që si rrallë herë më parë ishit kaq të organizuar e me kaq përkushtim”, shtoi ai, derisa fitoren e EPP-së e cilësoi fitore të Kosovës.

PE-ja përbëhet nga grupe politike të ndryshme për nga ideologjia. Një ndër grupet kryesore politike është EPP-ja, anëtare e së cilës është edhe LDK-ja. EPP-ja pritet t’i ketë 186 mandate në PE, i cili numëron 720 ulëse, që nënkupton dhjetë vende më shumë se në përbërjen e deritashme.

E djathta radikale në BE kërcënon “ëndrrën evropiane” të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore