Lajme

Abdixhiku e quan Kurtin, “kryeministër i ekonomisë më të varfër në Evropë”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që nuk është duke bërë zgjidhje për reduktimin e akcizës dhe TVSH-së për tre muajt e ardhshëm.

Abdixhiku, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se Kurti po vazhdon të refuzojë propozimin e LDK-së.

“Kryeministri i ekonomisë më të varfër në Evropë, Kurti, vazhdon të refuzojë propozimin tonë të 7 marsit për masë krejtësisht të ngjashme – reduktimin e akcizës dhe TVSH për tre muajt e ardhshëm”.

“Kokëfortësia, paranoja e refuzimi i propozuesit e jo propozimit s’janë zgjidhje në politikë. Kosova ka nevojë për lidership në momente krize; jo teke të tilla. Mund të vonoheni, të bëni dëme edhe më shumë, por zgjidhje tjetër – përveç propozimit të LDK-së – s’keni si zëvendësim”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ndërsa, ka përmendur edhe vendimet që janë marrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë.

“Presidenti i SHBA-ve, i ekonomisë më të fuqishme në botë, Joe Biden, i ka nisur dje Kongresit Amerikan propozimin për heqjen e taksës në naftë për tre muajt e ardhshëm; si masë e domosdoshme e stabilizimit të çmimeve të gjithëmbarshme”.

Kreu i LDK-së shton se edhe nga Kosova është kërkuar që të merren vendime të ngjashme.

“Qeveritë e Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Holandës, Belgjikës, Suedisë, Polonisë, Portugalisë, Irlandës, Hungarisë, Kroacisë e Sllovenisë – tashmë kanë reduktuar akcizën dhe TVSH-në në naftë e derivate. Këtë të hënë, në debatin parlamentar të kërkuar nga LDK, është koha që edhe Kosova – me qytetarë me standard shumëfish më të ulët për krahasim –  të rreshtohet prapa një politike të tillë”.

Ndryshe më 22 qershor, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar me unanimitet, udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve për produktet e naftës dhe karburanteve të ripërtritshme dhe masat e tjera mbrojtëse, në Kosovë.

Udhëzimi administrativ në fjalë bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori, të mbrohet konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg dhe për qëllime të tjera të interesit shtetëror, ka deklaruar Ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në mbledhjen e qeverisë këtë të mërkurë.

“Në bazë të të dhënave që posedon Ministria Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të konfirmuara me evidencë nga bizneset, nga Dogana dhe ATK të cilat evidenca kanë argumentuar që ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet e çmimeve në tregun botëror, prandaj për faktin që mos përshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar apo përkufizimin e marzhës tregtare”, ka deklaruar Hajdari.

Hajdari nuk ka zbuluar tavanin e çmimit të naftës dhe derivateve të tij, por ka thënë se kjo do të përllogaritet nga evidencat që kanë siguruar nga institucione përgjegjëse në Kosovë.

“Përllogaritjet për çmimin maksimal do të jenë të bazuara  nga evidenca e doganës dhe ATK-së dhe udhëzimi në fjalë është përgatitur në punën ekipore me Ministrin e Financave, Punës dhe Transferove dhe institucionet tjera përkatëse dhe me këtë udhëzim Ministria e Industrisë dhe Ndërmarrësisë e Tregtisë, propozon caktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet”, ka shtuar Hajdari.

Ky udhëzim administrativ, të cilin ministrja Hajdari nuk e shpalosi fare, thotë se u hartua në përputhje me procedurat e parapara pas konsultimit me Administratën Tatimore të Kosovës, Doganën e Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës, Inspektoratin e Tregu, Shoqatën e Naftëtarëve dhe të tjerë akterë përkatës.

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore