Lajme

Abdixhiku e falënderon Von Cramon-in për vizat


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në takim me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të premten është takuar me raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e saj në procesin e liberalizimit të vizave.

“Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës, në veçanti gjatë procesit të liberalizimit të vizave, si një hap i vonuar për popullin e Kosovës”.

“Kryetari Abdixhiku po ashtu falënderoi Viola von Cramon për avokimin e saj në procesin e liberalizimit gjatë gjithë kohës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga LDK-ja.

Po ashtu, është thënë se Cramon dhe Abdixhiku diskutuan edhe për temat aktuale.

“Në këtë takim u diskutua rreth temave aktuale politike në vend si dhe qëndrimeve të LDK-së karshi këtyre ngjarjeve”.

Të premten me Von Cramon, është takuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Liberalizimi i vizave është një moment historik dhe shumë i rëndësishëm për integrimin evropian të Kosovës, kishte thënë në një intervistë për Albanian Post, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Ajo ishte shprehur e lumtur që më në fund, pas më shumë se një dekadë pritjeje, qytetarët e Kosovës s’do ta kenë më barrën burokratike e të tejzgjatur të pajisjes me vizë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sa i përket kritikave se hapja e kufirit rrezikon të inkurajojë emigracionin ose të hapë rrugën drejt migrimit të paligjshëm, duke marrë parasysh situatën socio-politike në Kosovë, ajo kishte deklaruar se i takon institucioneve të punojnë në këtë drejtim.

Një element tjetër me rëndësi që del nga ky proces, sipas von Cramon, ishte fakti se liberalizimi i vizave mund të jetë me të vërtetë një nxitje për serbët e Kosovës që të pajisen me dokumente të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore