Kosova

Abdixhiku: Disa probleme do t’i zgjidhë në ditën e parë të qeverisjes – në draft-statut parashihet federalizimi i Kosovës


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në një intervistë për “T7” të enjten, ka thënë se disa nga problemet me të cilat përballen qytetarët e Kosovës pothuajse çdo ditë, janë lehtësisht të zgjidhshme dhe sëkëndejmi, ka shtuar se disa prej tyre do t’i zgjidhë në ditën e parë të mandatit nëse vjen në krye të Qeverisë së Kosovës.

“Kosova ka para, por s’ka qeveri që t’i implementojë projektet. Nuk e shoh se si nuk ngritet paga e shërbyesve publik. Nuk e shoh si është e mundur zero për qind investime kapitale në shëndetësi… Nuk i paramendoj këto cështje në qeverisjen time. Unë disa prej tyre në ditën e parë i zgjidhë”, ka thënë ai.

Duke komentuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE) dhe draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai ka thënë se ndihet shumë i shqetësuar për faktin se aty parashihet njëfarë autonomie që mund të çojë në federalizimin e vendit, por nuk parashihet njohja reciproke.

“Në termin më të thjeshtë [draft-statuti] është autonomi në evoluim. Kjo do të thotë se mund të bëhet federalizim. Pra është një trupë paralele me rendin kushtetues të Kosovës, referuar në normativat më të çuditshme, prej rezolutës 12/44 deri te Kushtetuta e Kosovës. Ai do t’i marrë gjithë kompetencat ekzekutive të komunave”, ka thënë kreu i LDK-së.

Abdixhiku ka thënë se kryeministri kosovar, Albin Kurti, ka bërë transformimin më të madh të procesit të dialogut në historinë e Kosovës, duke shtuar se kreu i ekzekutivit kosovar ka bërë gabim në momentin kur ka hequr dorë nga parimi themelor në dialog – njohja reciproke Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore