Lajme

Abdixhiku dënon sulmin ndaj gazetarit Valon Syla: Sulm ndaj fjalës dhe mendimit të lirë


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

“Sulmi ndaj gazetarit Syla, është sulm ndaj vet fjalës së lirë dhe mendimit të lirë – shtylla thelbësore të vet demokracisë”, ka thënë Abdixhiku, njofton faqja zyrtare e LDK-së.

Ndërkaq, sipas kreut të LDK-së “angazhimi ynë për një shoqëri të lirë dhe demokratike nënkupton angazhimin për mbrojtjen e fjalës së lirë të secilit”.

“Prandaj sulmi ndaj gazetarit Syla është sulm ndaj këtij angazhimi”.

Po ashtu, ai ftoi organit e rendit dhe drejtësisë “të gjejnë sulmuesit dhe të njëjtit t’i vënë para vet drejtësisë”.

Nga LDK ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se fjala e lirë është e shenjtë, e si e tillë “nuk guxon të cenohet nga askush dhe në asnjë rrethanë”.

“Ata që e cenojnë fjalën e lirë i shkelin të drejtat elementare njerëzore. Sulmi ndaj fjalës së lirë është sulm ndaj rendit tonë demokratik”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti i bëri thirrje institucioneve të rendit dhe ligjit që të jenë në funksion “të gjetjes së autorëve që sulmuan gazetarin Valon Syla”.

“Ky nuk është një incident i thjeshtë dhe as rast i izoluar”.

Ndryshe, gazetari Valon Syla u sulmua fizikisht nga tre persona të panjohur për të, deri sa po shkonte nga një studio televizive në shtëpi, një natë më parë.

Të panjohur, sulmuesit janë edhe për organet e rendit.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit. Rasti është në procedurë hetimore nga njësitë relevante policore”, njofton policia.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur një natë më parë rreth orës 22:23 në rrugën “Ilir Dumoshi” në Prishtinë.

“Viktima mashkull kosovar me profesion gazetar, ka raportuar se tre të dyshuar deri më tani të pa njohur e kanë sulmuar fizikisht me ç ‘rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”.

Pas sulmit gazetari dhe analisti politik, Valon Syla, ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është liruar në shtëpi.

Ashtu si sulmuesit, nuk dihen as motivet e këtij sulmi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas këtij rasti.

“AGK-ja e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, nga AGK-ja potencojnë se “gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta Metro, është sulmuar fizikisht, të hënën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë”.

Para sulmit, ai ishte ishte pjesë e një debati në Televizionin 7 në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja.

Tre persona e kanë përcjell atë deri te Bregu i Diellit, ndërsa sulmi ndaj tij ka ndodhur para lokalit të quajtur “Image”.

Policia: S’ka të arrestuar në rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore