Lajme

Abbott: Sanksionet e SHBA-ve janë në interes të të gjithë komuniteteve në Kosovë


Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, është shprehur se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion është në interes të të gjithë komuniteteve të Kosovë.

“E mirëpres vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Kjo është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, shkruan Abbott në Facebook.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që të ketë një thyerje mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar.

“Thyerja e lidhjes mes krimit të organizuar dhe individëve të korruptuar është thelbësore nëse duam të krijojmë hapësirën për politikanët dhe zyrtarët që punojnë në interes të të gjithë atyre që përfaqësojnë, jo vetëm për veten e tyre”.

Postimi i ambasadorit britanik në Kosovë, Nicholas Abbot.

Edhe, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, teksa ka mirëpritur sanksionimin e disa serbëve nga Kosova, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar, ka thënë se shkatërrimi i grupeve të tilla kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Në njoftimin e Departamentit Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja thuhet se Zvonko Veselinoviç si lider i Grupit të Organizuar Kriminal, është një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

“Veselinoviç është e përfshirë në skemë të gjerë të ryshfetit me zyrtarë kosovarë dhe serbë të sigurisë të cilët e lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Departamentit.

Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore