Lajme

Abbott: Në Hagë nuk po gjykohet lufta e UÇK-së


“Për shumë njerëz në Kosovë, gjykimi që fillon sot është një sfidë morale”, kështu ka nisur reagimin në llogarinë e tij në Facebook, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, për zhvillimet që po ndodhin këtë të hënë në Hagë, ndaj ish krerëve të UÇK-së.

Ai është shprehur se lufta e UÇK-së dhe as lufta e Kosovës për liri s’janë në gjyq dhe s’duhet të gjykohen.

“Ky gjykim është për veprimet e individëve. As UÇK-ja as lufta e Kosovës për liri nuk janë në gjyq dhe as nuk duhet të jenë. Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar ndërhyrjes së saj, si pjesë e NATO-s, si një shkak të drejtë për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe për të gjithë kosovarët të jetojnë pa shtypje”, ka shkruar Abbott.

“Kam vizituar shumë monumente në të gjithë vendin dhe në shumë raste viktimat që ato kujtojnë ende nuk i janë dhënë drejtësia”.

“Megjithatë, është e drejtë që Kosova të ketë guximin për të ndjekur drejtësinë për viktimat e tjera dhe për të zbatuar ligjin për të gjithë qytetarët e saj, edhe në rrethanat më të vështira”.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për arritjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Këtë të hënë ka filluar procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të cilët së bashku në Hagë po akuzohen për Ndërmarrje të Përbashkët kriminale

Akuza të rënda janë lexuar për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, nga përfaqësuesja e Prokurorit të Specializuar në fjalën hapëse në seancën e parë të fillimit të gjykimit për katërshen udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Akuza e parë që rëndon mbi Thaçin dhe të tjerët është që “përmes veprimeve dhe mosveprimeve të Thaçit dhe të tjerë me anë të pjesëmarrjes së tyre në ndërmarrje të përbashkët kriminale kryen ose ndihmuan dhe inkurajuan krime të paraqitur në këtë akuzë”.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjithashtu, sipas prokurorisë “Thaçi dhe të tjerët janë përgjegjës si eprorë për krime të kryera nga vartësit e tyre”.

Prokuroria tha se “Thaçi dhe të tjerët dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë ishin në prag të kryerjes së tyre ose ishin kryer nga vartësit e tyre, por nuk morën masat e nevojshme për parandalimin e atyre krimeve”.

Ish kryeparlamentari Kadri Veseli.

Prokuroria ka lexuar edhe një herë aktakuzën e cila ka pësuar disa ndryshime.

“Thaçi dhe të tjerët kanë personalisht përgjegjësi penale për përndjekje për arsye politike ose etnike, (krim kundër njerëzimit), burgosje (krim kundër njerëzimit), arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar (krim lufte), akte të tjera çnjerëzore (krim kundër njerëzimit), trajtim mizor (krim lufte), torturë (krim kundër njerëzimit), vrasje e paligjshme (krim kundër njerëzimit), zhdukej të personave (krim lufte)”.

Ish ushtrues detyre i presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Pas prezantimit të aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë pyetur për qëndrimet e tyre fillestare.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Veseli përtej deklarimit ka shprehur pakënaqësi me vonesat, derisa Krasniqi pohoi se “e kam vështirë ta kuptoj këtë aktakuzë”, sepse “s’kam lidhje me asnjë nga pikat që i lexoj prokuroria para pak kohe”.

Themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore