Lajme

Abazoviç: Jam i gatshëm për qeveri teknike


Abazovic gjate intervistes

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një intervistë për televizionin malazez “Adria”, ka thënë se ai është i gatshëm për të themeluar “qeveri teknike”.

Kreu i Qeverisë ka folur edhe për mundësinë që DPS e udhëhequr nga presidenti Milo Gjukanoviç, të votojë pro mocionit të mosbesimit që pritet të  në Kuvend të premten e 19 gushtit.

Një veprim të tillë, Abazoviç e ka cilësuar si “të çuditshëm” por “legjitim”.

“Nëse kjo ndodh, nuk do ta konsideroj si diçka jo legjitime nga përfaqësuesit e tyre. Megjithatë, mendoj se do të ishte paksa e çuditshme, veçanërisht nëse do të vinte si reagim ndaj nënshkrimit të Marrëveshjes Themeltare”.

Tutje, Abazoviç potencoi se mezi pret zgjedhjet e ardhshme.

“Ne nuk po ikim nga zgjedhjet – mezi presim zgjedhjet. Në zgjedhje qytetarët e Malit të Zi duhet të legjitimojnë një shumicë të re dhe një qeveri që shpresojmë se do të funksionojë për katër vjet”, tha Abazoviç.

Milo Gjukanovic

Megjithatë, ai ka një plan nëse dështon ky mocion dhe “qeveria e pakicës” të vazhdojë udhëheqjen e Malit të Zi.

Ai u shpreh i gatshëm që menjëherë të shtunën të ulet dhe të bisedojë për formimin e një shumice të re që do ta dërgonte vendin në procesin zgjedhor por me një kusht.

“Pra, kjo vlen nëse qeveria nuk bie dhe ne jemi gati, nuk duhet të presim as të hënën, mund të ulemi të shtunën dhe të shohim se si mund të bëjmë shumicën që mund ta çojë vendin drejt procesit zgjedhor. Kjo do të thoshte se do të krijohej një qeveri teknike që nuk do të kishte program përpos detyrën kryesore, zhvillimin e zgjedhjeve”.

“Por, para kësaj, si kusht, që mendoj se është i pranueshëm për të gjitha subjektet politike, është që prioritet të mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është pjesë e agjendës evropiane”, deklaroi ai.

Në fund, ai potencoi se në qeverinë e re nuk do të ketë anëtarë të SDP-së sepse sipas tij, ministrat e tyre janë sjellë që nga dita e parë sikur të mos ishin pjesë e ekipit të kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore