Kosova

Abazoviç dhe Escobar: Rajoni po përballet me sfida që mund ta minojnë stabilitetin


Dritan Abazovic dhe Gabriel Escobar

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, kanë deklaruar se rajoni është duke u përballur me sfida të shumta që mund ta dëmtojnë stabilitetin dhe ta kërcënojnë rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Abazoviç dhe Escobar janë takuar këtë të shtune në margjinat e Forumit të Dubrovnikut që është duke u mbajtur në Kroaci.

Siç njofton zyra e kryeministrit malazez të dy, Abazoviç dhe Escobar kanë qenë të mendimit se “rajoni po përballet me sfida të shumta që mund të cenojnë stabilitetin dhe kërcënojnë rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

“Në këtë kuptim u vlerësua se Mali i Zi, duke promovuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin, ka një rol pajtues dhe konstruktiv në rajon. Në këtë drejtim, theksohet edhe fakti se në një rajon të ndërthurur me mosmarrëveshje dypalëshe, Mali i Zi nxit bashkëpunimin e mirë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim”, thuhet në deklaratën e qeverisë malazeze.

Përveç kësaj, ata potencohet se kreu i ekzekutivit malazez dhe top-diplomati amerikan kanë diskutuar edhe “për integrimin evropian të vendit, me mbështetjen e përsëritur të SHBA-së për përpjekjet tona për ta bërë Malin e Zi sa më shpejt pjesë të familjes evropiane”.

Për takimin me Escobar-in, kryeministri malazez ka njoftuar edhe në llogarinë e tij në rrjetin social “Twitter”.

Tensionet e krijuara në Veri të Kosovës dhe veprimet anti-Dejton të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, aktualisht janë dy sfidat më të madha në Ballkanin Perëndimor, të cilat nga shumë kush janë komentuar se mund të krijojnë de-stabilitet në të gjithë rajoni.

Prandaj edhe bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka propozuar një plan për de-eskalimin e situatës në veri të Kosvës, si dhe ka bërë thirrje dhe ka ndërmarrë masa ndaj Dodik-ut për t’i parandaluar veprimet anti-Dejton të tij.

Ndryshe, Zëvendës-ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit dhe mbikëqyrës i politikave amerikane në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një bisedë me gazetarët kroatë, ka potencuar se plani franko-gjerman i mishëruar tashmë në një Marrëveshje për të cilën Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u dakorduan fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars është “i mirë” dhe se mos-pranimi i zbatimit të kësaj marrëveshjeje është “një mundësi e humbur”.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, siç po raporton mediumi kroat “Direktno”, i ka thënë gazetarëve të pranishëm se ka “indikacione pozitive” se Beogradi mund ta pranojë planin tre-pikësh të Bashkimit Evropian për të shtensionuar situatën në Veri të Kosovës, por nuk mund të thotë të njëjtën gjë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Shpresojmë që Kurti në një moment të përmbushë kërkesat evropiane dhe amerikane”, ka thënë Escobar.

I pyetur se çfarë pasojash mund të ketë kjo për Kosovën dhe nëse njëra prej tyre do të ishte tërheqja e KFOR-it, top-diplomati amerikan ka thënë se kjo mundësi “nuk është në tavolinë”, duke shpjeguar se për Kosovën masat nënkuptojnë largim nga partnerët e ngushtë ndërkombëtarë në rajon ndërsa për Serbinë largimi nga rruga për në BE.

“Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës, jo me një parti apo një figurë politike”, ka potencuar ai.

Sipas tij Kosova po humbë një mundësi meqë po refuzon në këtë fazë të koordinohet me partnerët e saj.

“Kjo nuk është një masë ndëshkuese, është një mundësi e humbur. Kjo është ajo që po ndodh me Kosovën tani sepse nuk po koordinohet me partnerët e saj”, ka theksuar Escobar.

Escobar: Ka indikacione që Vuçiç-i mund ta pranojë planin për shtensionim, Kurti ende po mendohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore