Lajme

Abazi: Qëllimi i vettingut është që sistemi i drejtësisë të reformohet


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është shprehur se qëllimi i procesit të vettingut është reformimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Mjaftueshëm kemi kritika që nuk po na funksionin sistemi i drejtësisë si i pavarur. Krejt çka po kërkojmë është kjo çka mundemi me be na bashkë, edhe politika, edhe shoqëria civile, edhe ekspertët e jashtëm, është ky Vetting, me qëllimin që të ky sistem i drejtësisë të reformohet”, ka deklaruar Abazi.

Ai në intervistë në mediumin KTV, bëri të ditur se janë duke kërkuar që ky proces të kryhet deri në masën ku nuk do të lihet asgjë pa diskutuar edhe pa u shqyrtuar në aspektin kushtetues, juridik dhe të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

“Ministrja e Drejtësisë, kryeministri, zëvendëskryeministri Bislimi, me të cilin kam qenë 2-3 herë bashkë në diskutime, e ka ba hapur thirrjen: Ky është vettingu që kemi përgatitur ne, nëse ka mangësi ejani bashkë e bëjmë”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi

“Por me qëllimin që sistemi ynë i drejtësisë të jetë në nivelin ku ma nuk na kërkohet me u delegu kompetencat diku tjetër, po Kosova duhet mos me u pa ndërmjet gishtave sikur ‘hajdeni ju jeni ende vend i ri edhe nuk keni kapacitete’. Nëse nuk paskemi kapacitete, çfarë ka ndodhë për 20 vjet këtu në ndërtimin e kapaciteteve?”.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha se Qeveria bëri shkelje ligjore me dërgimin e emrave për bord të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të personave që nuk kanë konkurruar fare.

“Komisioni i ka propozuar Qeverisë një listë të themi prej pesë anëtarëve, pastaj kryeministri i ka marrë tre emra të tjerë, të cilët nuk kanë aplikuar fare në konkurs, pa konkurruar, domethënë edhe i ka dërguar në Kuvend. Dhe kjo është shkelja ligjore, ku kryeministri, Qeveria, nuk munden të fusin në listë tre vetë të tjerë, nëse ata persona nuk kanë aplikuar fare në konkurs. Dhe kjo për neve është padyshim shqetësuese”, ka deklaruar Miftaraj.

Ndërkaq, shtoi se kanë kërkuar qasje në dokumente publike, por që nuk kanë marrë përgjigje.

Për procesin e vettingut, Miftaraj tha se ekzekutivi nuk ka arritur t’i bindë partnerët ndërkombëtarë.

“U përmend vettingu, u përmend Byroja, u përmenden edhe ligjet e tjera. Unë besoj që te vettingu është pjesa më kritike e kësaj qeverie, e cila fatkeqësisht më shumë për shkak të qoftë mungesës së përvojës ndoshta ndonjëherë të arrogancës, nuk ka arritur që këtë proces ta kanalizojë si duhet”.

“Fatkeqësisht, Qeveria nuk ka bërë një planifikim të duhur, në radhë të parë me partnerët ndërkombëtarë. Në këtë rast me ambasadat amerikane, britanike, zyrën e BE-së, me Komisionin Evropian, nuk kanë arritur ta menaxhojnë, në mënyrë që t’i bindin partnerët ndërkombëtarë se ky proces është i rëndësisë jetike për Republikën e Kosovës”.

Edhe, drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare “FOL”, Mexhide Demolli-Nimani, konsideron se Qeveria Kurti 2 është më e mbyllur sesa ato të kaluarat.

Ajo e konsideron të vështirë marrjen e një dokumenti të kësaj qeverie përmes kërkesave zyrtare, kur në fakt i njëjti do të duhet të publikohej.

“Aktualisht e kemi një Qeveri që është shumë më e mbyllur ndoshta edhe se qeveritë e kaluara. Ne si organizatë, besoj edhe ju, edhe shumë gazetarë në fakt që përballen me kërkesa të ndryshme drejtuar Qeverisë, fatkeqësisht nuk marrin përgjigje në afat kohor”.

“Gjithmonë duhet pritur të kalojë afati ligjor dhe me be ankesë në agjenci për me mbërri. Dhe deri kur i përfundon afati për trajtimin e lëndës kësaj agjencie, do të thotë shtyhet deri në momentin e fundit me t’u dhanë një dokument, që në fakt nuk do të duhej të bëhej kërkesë, por do të duhej të publikohej ai dokument.”, ka deklaruar drejtoresha e organizatës “Fol”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore