Kosova

Abazi: Në ShBA e kam ngrit zërin për mosdhënien e vizës për Kurtin – kam bërë notë proteste


Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se gjatë një udhëtimi të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë Qeverisë Kurti 1 kur mbante pozitën e zëvendëskryeministrit e kishte ngrit zërin pasi kryeministrit Albin Kurti, ShBA-ja ia kishte refuzuar vizën.

“Në kohën kur Kurti ka qenë në lista të zeza unë kam qenë ndër të vetmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në Bashkimin Evropian nga pozita ku kam qenë që e kam mbrojtur aktivitetin e Lëvizjes Vetëvendosje. E kam fjalën për udhëtimin në ShBA në cilin rast nuk i është dhënë viza zotëri Kurtit, para gjithë pjesëmarrëseve aty jam ngrit edhe kam bërë notë proteste për mos dhënieve e vizës për zotëri Kurtin”, tha Abazi gjatë një interviste në T7.

Kur është pyetur se pse i ishte besuar pozita e zëvendëskryeministrit edhe pse nuk ishte aktiv në Lëvizjen Vetëvendosje, Abazi ka theksuar se LVV-së i ka sjellë mijëra vota.

“Kam sjellë në LVV 20 mijë vota, arsyeja e vetme pse jam bërë zëvendëskryeministër është për shkak të kontributit tim në LVV”, shtoi ai.

“Kam qenë në darkë me Kurtin, më nxorën nga numri 8 në numrin 19. Nuk kishte as reagimin më të vogël nga unë”.

Por, ai ka shtuar se kjo rënie që i ishte bërë në listën zgjedhore ishte arsye pse nuk kishte arritur të grumbullojë votat e njëjta si në zgjedhjet e 2019-ës.

Ndryshe, më 28 shkurt, Abazi, ka njoftuar se i ka ndarë rrugët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Abazi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ pati thënë se në marrëveshjen për normalizimin të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, “ka elemente të cilat mund të e fundosin Kosovën”.

Ai kishte theksuar se Kurti “e ka rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015”.

“Ke përjashtuar aktivistët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbron e po i mban afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me vila”, pati shkruar ai.

Ndër të tjera, Abazi ka theksuar se humbja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 2021-s, është faturë e papaguar e Kurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore