Lajme

Abazi-Kurtit: Përfundimisht këtu ndahen rrugët tona


Haki Abazi dhe Albin Kurti.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se në raport me dialogun e Serbisë, i ka ndarë rrugët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Abazi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se në marrëveshjen e diskutuar në Bruksel ka elemente të cilat mund të e fundosin Kosovën.

“D.m.th, z. Kurti ju jeni vazhdimësia e së kaluarës, ju nuk jeni ndryshimi. Luftën për të eliminuar njerëzit potencialë për të udhëhequr me vendin ata e bënë me tytën e pushkës dhe revoles, duke i dërguar në varr. Ju keni adoptuar luftën speciale, ushtrinë e Facebook-ut dhe rrjetet sociale për të eliminuar, këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem”.

Sipas tij, Kurti me këtë veprim është duke i mbajtur afër “njerëzit më të korruptuar”.

“E ke rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ke përjashtuar aktivistët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbron e po i mban afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me vila”, ka thënë Abazi.

Ndër të tjera, Abazi ka thënë se humbja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 2021-s, është faturë e papaguar e Kurtit.

“Në takimin e fundit para zgjedhjeve lokale i the grupit parlamentar: qetësisht po presim fitoren në zgjedhjet komunale për të marrë në dorë pushtetin që siguron ndryshimin e njerëzve. Dështimi në zgjedhjet lokale është fatura jote e papaguar!”.

Abazi theksoi se edhe në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje është treguar qëllimi i Kurtit.

“Në të ashtuquajtura zgjedhje të brendshme ju keni treguar qëllimin përfundimtar, ata që kanë kurriz e integritet gjejeni formën për t‘i lënë jashtë me çdo kusht qoftë edhe duke u kujdesur që personalisht të caktoni diagnoza për të anatemuar dhe stigmatizuar e më pastaj me profilet e ushtrisë fiktive online të shkatërrohen politikisht. Kokat e turkut të janë dashur për të mbuluar dështimin”.

Ai shtoi se, “kjo mund të bëhet nga një mendje e korruptuar me fajllat e komunistëve. Servilët janë në rregull- Kadri Hazbiu, Beqir Balluku… Jo”, u shpreh deputeti i VV-së.

Propozimi franko-gjerman që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua shtatorin e vitit 2022, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në praninë e ndërmjetësuesve evropianë.

Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky propozim parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë. Aty nuk përmendet njohja reciproke.

Lexojeni tekstin e plotë të dokumentit franko-gjerman që tani është pagëzuar zyrtarisht me emrin “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore