Lajme

AAK paralajmëron që vendimi i ZRRE-së për rritjen e tarifave do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në konferencë për media është pyetur rreth planeve të AAK-së për të dërguar në gjykatën kushtetuese vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Ai ka paralajmëruar se një veprim të tillë do ta marrin shumë shpejt.

“E dini që në seancën e fundit kemi qenë partia e vetmja që e kemi shty gjendjen emergjente të gjendjes së sektorit të energjisë, mirëpo rritja ka qenë është dhe vazhdon të jetë një peshë mbi supet e qytetarë dhe është diskriminuese dhe do të ankimohet në gjykatë kushtetuese”, deklaroi ai.

Tahiri, tha se vendimi i ZRRE-së do të trajtohet bashkërisht edhe me partitë e tjera opozitare.

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

“Ne e kemi në plan që bashkërisht me partitë opozitare ta trajtojmë vendimin e ZRRE-së, për shkak se janë disa pika që bien ndesh janë diskriminuese, po do të marrim hapa të tilla ata që ne kemi bërë edhe e kemi parë gjendja me energjinë është shumë problem”.

Me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, kryeministri Albin Kurti ka thirrur një seancë solemne e që sipas Tahirit duhet të kumtohen dy lajme.

“Mbi 23 mijë e 250 mësimdhënës parauniversitar të cilët kanë një rrogë mesatare prej 470 euro presim nga kjo seancë solemne të cilën e ka thirrur kryeministri Kurti dy lajmë, lajmin për ditën dhe datën kur të hyjë në fuqi ligji i pagave dhe presim lajmin nëqofse paska pasur 10 për qind rritje ekonomike shtesën ata të cilën duhet ta marrin nga shteti nga ky shtrenjtim i madh”.

Ai konsideron se nëse nuk merret ndonjë vendim në këtë seancë, fjalimet e kreut të ekzekutivit do të jenë mashtrim i radhës.

“Nëse kjo seancë kthehet në fjalime të bukura ky është edhe një mashtrim i radhës për mësimdhënësit, një takim i cili ka mundur të ndodh edhe në një sallë të qeverisë edhe në një koktell rasti, por jo në Kuvend pa një porosi të qartë, kryeministri duhet të i lë fjalimet e bukura duhet të marrë vendime dhe duhet të rrisë pagat e të gjithë mësimdhënësit”.

Me 8 shkurt, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, merr vendim shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

Ky propozim ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave si dhe është miratuar në mënyrë unanime.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kWh”.

Tutje, ZRRE ka sqaruar edhe tarifat për shpenzimin e energjisë elektrike mbi 800 kWh.

“Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Ndërsa, kanë bërë të ditur se rreth 20 për qind e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore