Lajme

AAK-ja kërkon debat parlamentar për situatën në shëndetësi


Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar që këtë të enjte të mbahet një debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi.

Kërkesën e ka bërë deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, i cili njëherësh është edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi.

“AAK-ja si Grup Parlamentar ka filluar një nismë që ditën e enjte të bëhet një debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi dhe mungesën e sigurimeve shëndetësore”, thotë ai.

Sipas tij, ligji për sigurime shëndetësore s’është as në agjendën pranverore.

“Vazhdojmë të jemi vendi i vetëm në rajon pa sigurime të mirëfillta shëndetësore, vazhdon lista e pritjes, trajtimi i pacientëve jashtë Kosovës. Ne kemi ftuar debat parlamentar, dhe do ta mbyllim me një rezolutë, që besojmë që do të mbështetet edhe nga pozita”, u shpreh ai.

“Shpresojmë që rezoluta të jetë një rrugëdalje dhe të jetë një obligim për Qeverinë si dhe shëndetësia të rikthehet në rrugën e drejtë”.

Ligji për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr.

Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).

Duke mos pasur sigurim shëndetësor edhe te qytetarët është krijuar një kulturë e funksionimit ndryshe në raport me shëndetësinë.

Ministria e Shëndetësisë, më herët, pati shpjeguar se sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ligji për siguri shëndetësore, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajnë edhe punëdhënësit.

Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurosh për anëtar të familjes.

Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.

Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore