Lajme

AAK-ja e quan buxhetin e vitit 2024, “buxhet të stagnimit dhe të varfërisë”


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), buxheti i vitit 2024 është buxhet i “varfërisë dhe zhgënjimit”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përveç mangësive që ka buxheti për vitin e ardhshëm ka thënë se nuk përbën as zhvillim ekonomik, ndërsa edhe rritjen e koeficientit e ka konsideruar si tejet të vogël krahasuar me inflacionin.

“Projektbuxheti me parametrat nuk është zhvillimor, por stagnues. Rritja minimale praktikisht është shkurtim i buxhetit, marr parasysh inflacionin që është, rritja e koeficientit për vitin e ardhshëm nuk është rritje dhe investimet kapitale nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik”.

“Asnjë nga projektet infrastrukturore nuk janë realizuar këtë vit, por janë bartur për vitin e ardhshëm. Fondi i transfereve sociale është zvogëluar për 12 për qind që do të thotë se nuk do të ketë rritje për familjet sociale. Ky buxhet është buxhet i varfërisë dhe i stagnimit”.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u shpreh se projektet të cilat janë bartur për vitin e ardhshëm janë dështim i Qeverisë së Kosovës.

“Siç e dini buxheti për vitin 2024 është 3 miliardë dhe e ka ndryshuar strukturën. Ato projekte që kanë qenë, janë bartur për vitin 2024 dhe këtu është dështimi i Qeverisë Kurti”.

“Kjo ka ndikuar në ngecje të zhvillimit ekonomik dhe shumica e buxhetit ka shkuar në skema sociale dhe në subvencione. Nëse kanë premtuar në sigurime shëndetësore, pozicioni në këtë drejtim është zero”, tha Lekaj.

I të njëjtit mendim është shprehur edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili deklaroi se buxheti për vitin 2024, do të jetë “buxhet i mashtrimit të numrave dhe i kamufluar që prodhon varfëri dhe zhgënjim”.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe kryetari i sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, dhe kryetari i sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi.

“Buxheti për vitin 2024 është shokuese për ne. Është ironike dhe këmbëngulëse dhe me ngritjen e koeficientit prej 110 euro, ngritja e pagës për mësimdhënësit do të jetë 28 apo 29 euro dhe nuk na mbetet tjetër veçse të qajmë hallin dhe do të kërkojmë nga deputetët që mos po dëshiron Zoti që të ndërrojnë mendje dhe ta ngritin koeficientin”, u shpreh Jashari.

Kritika për buxhetin e vitit 2024, kishte edhe kryetari i Sindikatës së Sektori Privat, Jusuf Azemi.

“Në buxhetin e tanishëm, neve sindikatave po na bëjnë me dije se as në vitin 2024 nuk do të kemi marrëveshje kolektive”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 171-të të Qeverisë së Kosovës, ka bërë të ditur se buxheti i Republikës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore