Kosova

A u bë plani për ridefinim të kufijve në Ballkan nga Kryeministri Jansha, flasin për Albanian Post nga Qeveria sllovene


Ilustrim: Harta me ndryshimin e kufijve nëse do realizohej plani i paraparë me dokumentin e publikuar ditë më parë, i cili flet për ri-rregullimin kufitar të shteteve në Ballkanin Perëndimor.

Zyra për komunikim e kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, një përgjigje me shkrim për Albanian Post, kanë thënë se “Qeveria aktuale e Republikës së Sllovenisë asnjëherë nuk ka diskutuar të ashtuquajturën “non-paper’ që ju keni përmendur në raportimet tuaja gjatë ditëve të fundit”.

Por, kjo media austriake nuk e ka sqaruar nëse bëhet fjalë për non-paper-in slloven apo atë franko-gjerman.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe as ndonjë ministri tjetër e Qeverisë aktuale të Republikës së Sllovenisë nuk është përfshirë në ndonjë aktivitet të tillë”.

Në këtë përgjigje për AP thuhet se “Sllovenia, së bashku me palët e tjera të interesit në rajon, në Bashkimin Evropian dhe më gjerë, po bën çdo përpjekje për të përshpejtuar integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në integrimet Euro-Atlantike, dhe duke bërë këtë, është e bindur se asnjë hap në këtë drejtim nuk duhet të rrezikojë paqen dhe bashkëjetesën në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”.

Zyra për media e ekzekutivit slloven po ashtu e mohon se në zyrën e kryeministrit Jansha është përgatitur plani për ridefinimin e kufijve në Ballkan, siç ka pretenduar kleriku boshnjak Mustafa Çeriq, në letrën e tij drejtuar ish-Presidentit të Sllovenisë, Milan Kuçan.

“As Qeveria dhe as ndonjë organ qeveritar nuk e ka konsideruar, përgatitur ose diskutuar ndonjë raport nga viti 2011, siç thuhet nga Mustafa Ceriq në letrën drejtuar ish-Presidentit Milan Kuçan, ose pretendimi për “non-paper” që i referohet asaj, dhe as nuk është marrë në ndonjë kontekst tjetër me shpërbërjen e Bosnjë dhe Hercegovinës referuar këtij dokumenti të pretenduar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës së kryeministrit slloven Jansha.

Në letrën, origjinalin e të cilës e ka siguruar Albanian Post, tetë ditë më parë, shkurtimisht, por në hapa konkretë, tregohet se cili është plani, arsyet për realizimin e planit dhe pikat nëpër të cilat duhet të kalojë implementimi i tij.

Sipas letrës, disa nga pikët tashmë janë në rrugë e sipër për t’u realizuar dhe për konkretizimin e planit janë të informuar faktorë rajonalë e ndërkombëtarë.

Në pjesën e dokumentet të titulluar si “Zgjidhja” thuhet se gjithçka do të zgjidhej në gjashtë pika.

Pika e parë është “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”.

“Në Kosovë, 95 për qind e popullatës duan bashkim me kombin e tyre Shqipërinë. Situata është e njëjtë në Shqipëri. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë de fakto nuk ekziston. Pjesës serbe të Kosovës i është garantuar një status special (duke përcjellur modelin e Tyrolit Jugor)”, thekson letra.

“Bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë”, përbën pikën e dytë në dokument.

“Çështja kombëtare e Serbisë mund të zgjidhet në një masë të madhe duke ia bashkuar një pjesë të madhe të Republika Srpskas Serbisë. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të pajtohet me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

Për Kroacinë ofrohen dy opsione.

“Çështja kombëtare e Kroacisë mund të zgjidhet: Duke ia bashkuar Kroacisë pjesët kroate të Bosnjës dhe Hercegovinës ose, duke iu garantuar një status special pjesës kroate të Bosnjës (modeli i Tirolit jugor)”

Sa u përket boshnajkëve “ata do të fitonin një shtet të pavarur funksional dhe do ta kontrollonin krejtësisht”.

“Një referendum është organizuar për njerëzit që të zgjedhin në mes të BE-së dhe jo-BE-së (Turqisë). Për momentin, një shumicë e boshnjakëve mbështet perspektivën evropiane, por nëse vazhdon ky kaos dhe rritja e influencës turke dhe islamit radikal,. Situatat drastikisht mund të kthehet në anën tjetër gjatë dekadës së ardhshme”.

Ky është plani për zgjidhjen përfundimtare të problemeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që zbulohet me një letër që një media sllovene e ka botuar, duke aluduar që të njëjtën kryeministri slloven Janez Jansha e ka dërguar te Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post pati thënë se “në adresë të BE-së nuk kanë pranuar asnjë letër me plane për ndryshim kufijsh në Ballkan”.

“Në këtë rast specifik nuk i takon Komisionit Evropian ose Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm që të shprehemi për çështjen e pretenduar pasi që Komisioni nuk ka marrë asgjë dhe nuk është në dijeni të përmbajtjes së pretenduar të një dokumenti të tillë”, pati sqaruar Stano.

Kundër këtij plani për ndryshim kufijsh ka dalë edhe Gjermania.

Ministri i Punëve të Jashtme, të Gjermanisë Heiko Mass, dy ditë më parë nga Prishtina tha se “ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk do të çonte drejt një zgjidhje potenciale, por do të ashpërsonte raportet edhe më shumë”.

“Nuk e di nëse ka projekte të tilla pasi që është folur për një ‘non paper’. Ndërsa për konstatimet që i përmban rreth ndryshimit të kufijve, qeveria gjermane i refuzon në mënyrë kategorike. Sepse, kjo nuk do të çonte drejt zgjidhjes së konflikteve, por do t’i ashpërsonte ose t’i shtonte ato”, theksoi Mass.

Ndërkaq lajmi për “planin slloven”, për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani është i rremë.

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina potencoi se nuk mund t’i komentojnë artikujt e mediave.

Madje sipas tij ekzistenca e një plani të tillë është mohuar edhe nga qeveria sllovene.

“Sido që të jetë, pas komunikimit me ta, përfaqësuesit e shtetit slloven kanë bërë të ditur se artikulli të cilit i referoheni ju është një lajm i rremë, ndaj ekzistenca e tij është mohuar nga autoritetet sllovene”, tha Kupina.

Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se dizajnimi i ri i kufijve në Ballkan, është një ide tepër e rrezikshme që nxit konflikte të reja në rajon.

“E kemi ndjekur me shumë shqetësim daljen në media të letrave të tilla, të tezave të tilla që edhe përmendja e tyre është tepër e rrezikshme për rajonin. Në vitin 2018 kemi pas tendenca për gjetjen e zgjidhjes me shkëmbime të territoreve, në ndarje të vendit në bazë të linjave etnike”.

 

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore