A po kthehen serbët në institucione, siç sugjeroi Albin Kurti në intervistën e fundit?
Foto nga Albanian Post
Dini Fetahu
07.06.2024 13:56Kryeministri i Kosovës tha se serbët po rikthehen në institucione, por sipas një analisti nga Veriu me të cilin ka biseduar Albanian Post, po ndodhë një rikthim i pjesshëm i tyre dhe i kontrolluar nga partneri politik i Albin Kurtit, Nenad Rashiç.
Kjo, që më vonë t’i kthehen atij në vota për mandate në Parlamentin e Kosovës. Megjithatë, as vetë serbët s’janë të interesuar të integrohen. Ata arsyetim japin, mosbesimin që kanë në institucionet e Kosovës.
Serbët, përveç bojkotit të zgjedhjeve për katër komunat në Veri të vendit – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – më 23 prill 2023, çka bëri që të zgjidhen kryetarët shqiptarë, ndonëse pakicë në ato komuna, bojkotuan edhe referendumin e 21 prillit të këtij viti për shkarkimin e tyre.
Integrimi më i masiv i serbëve të Kosovës në institucionet e shtetit kishte ndodhur pas Marrëveshjes së vitit 2013 të arritur në Bruksel. Marrëveshja e dakorduar atëherë, që kryesisht njihet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në fakt kishte edhe shumë pika të tjera, siç ishin ato nga 7 deri në 10 ku flitej për një inkuadrim të organizuar të serbëve në institucione (polici, gjykata, administratë, etj).
Megjithëse u quajt veç formal si integrim, në fakt serbët në masë të madhe kaluan nga udhëheqja e strukturave ilegale tek institucionet e shtetit të Kosovës.
Por, më 5 nëntor 2022, me një urdhër politik nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, shumica dërrmuese e të inkuadruarve në vitin 2013 u larguan, me kusht kryesor për kthimin e tyre: themelimin e Asociacionit.
Përkundër thirrjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ata të kthehen, kthim nuk u pa.
Megjithatë në një intervistë të fundit për A2 CNN, një media e Shqipërisë, udhëheqësi i Qeverisë së Kosovës, tha se “integrimi i serbëve është në rrugë të mirë” dhe se “Serbia më nuk e ka ndikimin që e ka pasur te serbët e Kosovës”.
Për politologun serb nga Veriu i Kosovës, Ognjen Gogiç, kjo është vetëm një gjysmë e vërtetë.
Përkundër se e thekson edhe ai se “politikat e Beogradit kanë pasur disfatë vitin e fundit dhe nuk e ka ndikimin që e ka pasur te serbët e Kosovës”, ri-integrimi në institucionet nuk është në rrugën që e ka përshkruar kryeministri.
Sipas Gogiç – që nuk është përkrahës i ndonjë partie politike të serbëve të Kosovës – jo vetëm që “integrimi i serbëve nuk është në shtegun e duhur”, por as nuk ka edhe aq interes nga Kosova ta bëjë këtë integrim.
“Prishtina ka interes vetëm për një pjesë të serbëve të kthehen në institucione. Para se gjithash, është e pamundur të mbahen institucionet në Veri vetëm me personel shqiptar dhe boshnjak (prandaj dëshiron të kthehen disa serbë). Por, ky kthim është shumë i limituar, sepse Prishtina nuk i do serbët faktor të fortë në Kosovë”, thotë Gogiç.
Problemi i dytë që sheh ai, ka të bëjë me formën se si po kthehen.
“Duket se kthimi i serbëve në institucionet është i organizuar për t’iu përshtatur partisë së Nenad Rashiç-it, që është partner politik i Kurtit. Kthimi i këtyre serbëve në institucione përdoret për të forcuar partinë e Rashiç-it, sepse këta punëtorë po rekrutohen nga partia e tij me qëllimin që t’i ndihmojnë atij më vonë për të marrë mandate në Parlament që janë të garantuar për komunitetin serb”, pohon Gogiç.
Përkundër kësaj, ai shton se ka edhe një faktor tjetër, të rëndësishëm, pse serbët nuk kthehen të punojnë, siç punonin dikur në institucionet në Veri.
“Akoma s’i besojnë aq shumë Prishtinës zyrtare”, thotë ai. “Prandaj shumica prej tyre nuk duan të kthehen, përkundër se nevojë për punë kanë, kështu që pak a shumë serbët janë jashtë institucioneve aq sa ishin më 5 nëntor 2022 kur edhe dolën masovikisht dhe s’janë duke u kthyer, ashtu siç ka sugjeruar Kurti. Pra, rikthimi është i pjesshëm dhe i koordinuar”.
Por, ndryshe nga Gogiç mendon ish-deputeti serb dhe kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak.
Në vlerësimin e Çanak-ut, pas sulmit terrorist në Banjë të Zeçanit më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesë e konsiderusheme e serbëve të Kosovës duan që të integrohen.
“Pas Banjës, gjithçka ndryshoi, strukturat parashtetërore në veri janë në gjendje mbrojtëse dhe më shumë njerëz janë të gatshëm të integrohen në shoqërinë e Republikës së Kosovës”, thotë Çanak për AP.
Ndryshe, të enjten, Kurti ka thënë se integrimi i serbëve të Kosovës po shkon në rrugën e duhur, derisa ka konsideruar se Serbia s’po mund t’i dirigjojë siç ka bërë dikur.
Këto komente, Kurti i ka bërë në një intervistë për “A2CNN”, ku ka theksuar se nuk ka qëllim që t’i asimilojë serbët në shqiptarë.
“Integrimi i serbëve është në rrugë të mbarë, por jo kundër serbëve, as për asimilimin e tyre. Nuk kam as gatishmëri, as interes, as dëshirë që serbët të asimilohen në shqiptarë, jam që ata ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, gjuhën e tyre, traditat…”, tha Kurti.
Kryeministri potencoi se Kosova nuk është e rrezikuar nga serbët, “nuk janë ata 40 për qind, nuk janë as 14 për qind, ata s’janë as 4 për qind, por rreziku është Serbia, jo serbët”.
“Serbia nuk po mund t’i dirigjojë si dikur dhe personat të cilët e bënin të dhunshëm urdhrin e Beogradit në masë të konsiderueshme o janë në burg, o kanë ikur nga Kosova”, shtoi.
Prandaj, vlerësoi ai, “edhe ka rënë fuqia e Serbisë mbi serbët e Kosovës”.
“Ata [Serbia] kanë një fuqi edhe më tej të frikësimit të shantazhimit, por, fuqia e cila i detyron serbët e Kosovës të bëjnë veprime të dhunshme me urdhra nga Beogradi, e kundër shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës ka rënë drastikisht”, beson.