Lajme

A mund ta zhbëjë vendimin e ZRRE-së për rritjen e çmimit të rrymës Kushtetuesja?


Gjykata Kushtetuese

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë më 8 shkurt për shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj, nuk mund t’i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë.

Por, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit, një gjë e tillë mund të bëhet në gjykatat e rregullta.

“Vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese. Ato vendime mund të sfidohen vetëm në procedura pranë gjykatave të rregullta të Kosovës, jo më Gjykatën Kushtetuese”, tha shkurt Hasani për Albanian Post.

Ndërkaq juristi Arbër Jashari, ka thënë për AP se është e drejtë e çdo subjekti politik, që konform procedurave ligjore të inicioi shqyrtimin e kushtetutshmërisë se secilit akt juridik.

“Sa i përket nismës në fjalë, konsideroi se është pak e vështirë të jepet ndonjë opinion ose prognozë, pa e parë përmbajtjen e kërkesës, konkretisht pa e lexuar bazën ligjore në të cilën është mbështetur, faktet të cilat i ka parashtruar dhe argument mbi të cilat është ndërtuar”.

Ai ka shtuar se “barazia para ligjit është një e drejtë themelor dhe e garantuar, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Sipas tij, kushdo që konsideron se me vendimin e ZRRE-së, është cenuar kjo e drejtë, apo ndonjë tjetër kushtetuese, “mund të marr iniciativa për mbrojtje gjyqësore”.

Juristi tjetër Mentor Beqiri, thekson se ky rast mund të cilësohet shkelje e të drejtave të njeriut.

“Bazuar në të dhënat gjenerale që i kom për rastin në fjalë, rritja mund të konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut, për faktin nëse në disa pjesë të vendit është rritë çmimi i energjisë elektrike e në disa pjesë të vendit jo për veriun e vendit”, ka potencuar Beqiri.

Ndryshe këtë marte të 8 marsit, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se partia të cilën ai e drejton ka nisur procedurën e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese vendimin për rritjen e çmimi të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të cilën e ka konsideruar si “shkelje rëndë e të drejtave të njeriut”.

Për Haradinaj, qytetari po përballet me pamundësinë e sigurimit të ekzistencës pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale, si rryma, vaji, sheqeri dhe buka.

Më 8 shkurt, me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, pati marr vendim shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë evidencë me 5,9 cent kWh”.

Të shtunën e 29 janarit qytetarët të mllefosur kanë protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, kështu duke brohoritur “Albin rrenci”, “Albin mashtruesi”.

Në përfundim të protestës, qytetarë të revoltuar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në mënyrë simbolike kanë gjuajtur qirinj dhe poqa elektrikë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore