A mjafton vetëm ndëshkimi për TikTok-un pa fre?

Sadiola Xhelili
25.02.2024 7:30
Loading Icons...

Ndëshkimi nisi.

Shtjellës së anës së errët të TikTok-ut – kërcënues, shfrytëzues, shantazhues e diskreditues – po i vihen fre.

Nënë e bir u dërguan pas hekurave: shfrytëzonin djalin e mitur 10-vjeçar, me qëllim përfitimin nga TikTok-u. Gjykata e Beratit i la ata në burg pa afat.

Dyshja e njohur – Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula – kishin postuar video të tij, me fjalë denigruese dhe banale.

Reagim ka pasur edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka ravijëzuar se abuzuesve duhet t’u bëhet e qartë se “tani është më e thjeshtë për t’ju gjetur dhe për t’ju vendosur me përgjegjësi përpara ligjit”.

Por a mundet vetëm ndëshkimi t’i ndali këto episode shfrytëzuese shqiptare të TikTok-ut?

Është koha që të gjithë të vendosim të kemi më shumë vetëkontroll. Ky është apeli i psikologes Elona Braçja.

Ekspertja mbron tezën se, rol të veçantë në menaxhimin dhe parandalimin e këtyre rasteve, ka vetë-ndërgjegjësimi, “që së fundmi në Shqipëri kanë rezultuar fatale”.

Fillimviti ka qenë me lajme të trishta në Shqipëri, të lidhura me TikTok-un.

Vetëm një muaj e pak ditë ka kaluar nga ndodhia fatale e 41-vjeçares nga fshati Vardadhë i Sukthit në Durrësit, e cila i dha fund jetës duke pirë fotoksinë.

E gjitha pasojë e gjuhës së rëndë fyese e cenuese kundrejt saj në një profil të rremë në TikTok.

Ndërsa më 11 shkurt në Kamëz u regjistrua rasti i radhës. Një 27-vjeçare u vetëhodh nga kati i katërt i një pallati, duke gjetur vdekjen, dhe shkak ishte publikimi i një fotografie intime të saj.

Për t’u rikthyer te psikologia, ajo gjykon se rol tjetër – po prapë me peshë – “kanë familjarët, me një qëndrim informues dhe jo strikt dhe më pas organet përgjegjëse ligjzbatuese”.

“Duke marrë parasysh problemet me privatësinë, shitjen e mundshme të të dhënave tona personale dhe varësisë që shkaktohet prej tyre, mbase është koha që të gjithë të vendosim të kemi më shumë vetëkontroll”, ka theksuar Braçja.

Sipas saj, kjo mund të realizohet duke e ri-programuar trurin në mënyrë që të jemi ne ata që i përdorim dhe i kemi nën kontroll këto aplikacione, dhe jo anasjellas.

Nga ana tjetër, psikologia ka nxjerrë në pah edhe një problematikë tjetër paralel me varësinë e krijuar ndaj TikTok-ut, të cilën e quan “një sëmundje që po prek miliona njerëz rreth botës, jo vetëm në Shqipëri”.

Bëhet fjalë për çrregullimet e shëndetit mendor.

“Numri i çrregullimeve të shëndetit mendor që shkaktojnë deficenca, në memorie dhe përqendrim, është gjithashtu në rritje”, ka dalluar ajo.

Më 19 shkurt, Komisioni Evropian ka hapur një hetim për të vlerësuar nëse TikTok-u mund të ketë shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) në fushat që lidhen me mbrojtjen e të miturve, transparencën e reklamave, aksesin e të dhënave për studiuesit, si dhe menaxhimin e rrezikut të përmbajtjes së dëmshme.

Sipas KE, masa erdhi në bazë të hetimit paraprak të kryer deri më tani, duke përfshirë një analize të raportit të vlerësimit të rrezikut të dërguar nga TikTok-u në shtator 2023, si dhe përgjigjet e TikTok-ut ndaj kërkesave zyrtare për informacion.

“Një vlerësim i tillë kërkohet për të kundërshtuar rreziqet e mundshme për ushtrimin e të drejtës themelore për mirëqenien fizike dhe mendore të personit, respektimin e të drejtave të fëmijës si dhe ndikimin e saj në proceset e radikalizimit”, thuhet në njoftim.

Ndëshkimi nisi. Edhe në Shqipëri.

Por se sa do të vazhdojë goditja e rasteve të tilla dhe nëse masat do të rezultojnë efektive në frenimin e fenomeneve me rrezik të lartë për shoqërinë dhe jetët e njerëzve, këtë do ta tregojë vullneti për të mos u ndalur.

Të fundit

Aktuale