“Deklaratat e njëanshme të njohjes së një shteti të lëshuara në formë zyrtare nga organet përfaqësuese shtetërore janë obligative dhe nuk mund të tërhiqen njëanshëm”.
Kështu është deklaruar për Albanian Post, profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Besfort Rrecaj, duke shtuar se ky është edhe qëndrim zyrtarë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ai, madje thekson se shumica e autorëve më eminentë të së drejtës ndërkombëtare janë të mendimit se njohja “de jure” (ligjërisht) e shtetit është e pakthyeshme, pasi sipas Rrecaj njohja e një shteti ka karakter deklarativ.
Rrecaj tregon se ai nuk e sheh të arsyeshme hezitimin e një shteti për ta njohur një shtet tjetër nëse do të ishte aq e lehtë tërheqja e njohjes.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare ka komentuar edhe fushatën e shtetit serb për shtimin e çnjohjeve ndaj shtetësisë së Kosovës, fushat e cila sipas Rrecaj nuk prodhon asnjë efekt juridik.
“Të ashtuquajturat çnjohje vijnë nga shtete korruptive dhe si duket këto shtete nuk kanë aftësi për të njohur obligimet e veprimeve të tyre karshi shteteve tjera”, ka thënë Rrecaj për Albanian Post.
Por ai, ka bërë të ditur se këto manovra diplomatike nuk duhet të neglizhohen nga ana e Qeverisë së Kosovës, pasi sipas tij këto mund të reflektohen në sjelljen e atyre shteteve ndaj Kosovës sidomos për anëtarësim në organizatat të ndryshme ndërkombëtare.
Për këtë arsye, ai bënë thirrje diplomacisë kosovare, që përpos angazhimit për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, të angazhohet edhe me problematikën e çnjohjeve në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës.
Edhe për politologun dhe njohësin e çështjeve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, i cili ka folur për Albanian Post, lobimi serb karshi çnjohjes së shtetit të Kosovës është i pa precedent, pasi sipas tij shtetet konsiderohet se kanë drejtë të njohin një shtet, por, jo më pas të bëjnë tërheqjen e njohjes së bërë në mënyrë të vullnetshme.
Sipas Sadikut, të gjitha çnjohjet karshi Kosovës kanë ardhur si pasojë e lobimit të Rusisë dhe Serbisë në disa vende të varfra të Afrikës, duke i joshur ata ekonomikisht apo edhe ushtarakisht, me mbështetje të dhënies së armëve falas.
Autoritetet në Beograd gjatë viteve kanë pretenduar se kanë arritur të sigurojnë tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga më shumë se 15 shtete.
Ndërsa në anën tjetër këto pretendime në vazhdimësi janë hedhur poshtë nga autoritetet e Kosovës, duke i konsideruar këto deklarata propagandë të Serbisë.
Ndër të tjera ai ka thënë se Serbia është në komunikim të vazhdueshëm me një numër vendesh që janë gati të tërheqin njohjen e shtetit të Kosovës.
Deri me tash, bazuar edhe në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, shteti i Kosovës është i njohur nga 117 shtete.
Njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës ka ardhur nga shteti i Izraelit me 1 shkurt të këtij viti.
Me 4 shtator të këtij viti ka përfunduar edhe moratoriumi i cili rrjedh nga Marrëveshja e Uashingtonit, me të cilën u ndalua secili aktivitet të fushatës për mospranimin apo heqjen e njohjeve për shtetin e Kosovës.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com