Lajme

A ka marrëveshje për mosmarrëveshje – në kërkim të konfliktit në veri?


Foto nga Albanian Post

Në më shumë se një rast, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, e ka përmendur se nuk bën të lejohet të ndodhë “luftë për shkak të targave”.

Do të ishte absurde po te ndodhte, por në të njëjtën kohë Hill e ka projektuar si realitet eventual.

Frika e Hill nuk vjen vetëm nga përvoja e fituar prej dekadash në diplomaci e as nuhatja e zhvilluar në situata të tilla në vende të ndryshme të botës.

Nga ashpërsimi i retorikës, veprimet në terren, moskokëçarja në reagime dhe refuzimi për t’i marrë këshillat parasysh, te spektri ndërkombëtar që po angazhohet për një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, kanë filluar dyshimet se kjo zgjidhje është vetë problemi.

Miroslav Lajçak, njeriu kryesor i BE-së për dialogun, ka zhvilluar takim më të gjatë se pesë orë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

SHBA, BE, QUINT, UNMIK dhe organizata të tjera e personalitet si Manuel Sarrazin, kanë bërë thirrje për ulje të retorikës dhe zbutje të tensioneve.

Takimet e gjata nuk janë të rastësishme dhe as të pakoordinuara.

Albanian Post ka marrë vesh nga burime diplomatike se qeveritë perëndimore kanë shqetësime serioze për mundësin e eskalimit të situatës në veri të vendit.

Skenari është i qartë tashmë.

Qeveria – përkundër thirrjeve dhe pothuajse pakuptueshëm – ka vendosur të zbatojë një masë qortimi edhe me çmimin e “shqetësimit” e “zhgënjimit” të aleatëve kryesorë ushtarakë si SHBA-të dhe atyre politik si BE-ja.

Si mund të shpjegohet që kryeministri i Kosovës ka vendosur në peshore aleancën me perëndimin si interes jetik i vendit dhe një dokument qortimi për shofer dhe më shumë i ka rënduar kjo e dyta?

Albanian Post ka dashur një racionalizim të këtij vendimi, prandaj ka pyetur një nga njerëzit që e njeh më mirë se kushdo tjetër Kurtin, ish-kolegun e afërt, Visar Ymerin.

As Ymeri s’e shpjegon dot.

“Në publik krejt çka dëgjojmë janë frazat e thata legaliste ‘ne vetëm po zbatojmë ligjin’, e të cilat nuk janë krejtësisht të vërteta”, thotë ai.

Ndryshe nga Ymeri, burimet i thonë AP-së se ndërkombëtarët tashmë e kanë një ide se cili është motivi dhe të kaptuarit ka filluar në momentin kur kanë hetuar se nuk kanë të bëjnë vetëm me një lider destruktiv (Aleksandër Vuçiç-in), por me dy sosh (edhe Albin Kurtin).

Prandaj, përpos shqetësimit që prapa veprimeve të nxituara dhe joproporcionale të autoriteteve serbe mund të jetë ndikimi rus, qeveritë e vendeve perëndimore po ashtu janë të shqetësuara që kriza në veri të vendit po ushqehet edhe nga kryeministri Kurti.

Kurti e kishte ditur paraprakisht se struktura serbe e Policisë së Kosovës në veri nuk do ta zbatojë vendimin për targat, pasi ata njëjtë kishin refuzuar të reagonin edhe kur strukturat paralele atje bllokuan rrugën me kamionë në disa raste.

Madje ishte njoftuar se marrja e vendimit për zbatimin e masave të shkallëzuara do çonte te largimi i serbëve nga institucionet.

Por, burimet thonë për AP se largimi i serbëve nga strukturat shtetërore nuk është pasojë e veprimit, por qëllimi primar i Kurtit.

Pikërisht me këtë mos-dëgjueshmëri lidhet edhe paraqitja publike e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, se “nëse kryeministri nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, ai po rrëshqet në tradhti”.

Por, pse do Kurti largimin e serbëve nga institucionet?

Burimet thonë se qëllimi është një: “për të argumentuar që integrimi i deritanishëm, sipas procesit të Brukselit, është vetëm një farsë”.

Kjo më pas, shpjegojnë burimet ndërkombëtare, do të shërbente edhe në qëllimin e kryeministrit Kurti për të promovuar organizime të tjera politike të serbëve që, në rast të zgjedhjeve të parakohshme, do të mund të zëvendësonin listën serbe në Kuvend të Kosovës, por edhe në komuna serbe.

Në të njëjtën kohë, derisa planifikime të tilla ndodhin në Kosovë, Aleksandër Vuçiç në Serbi ka bërë pjesën e tij.

Propaganda mediatike e pushtetit atje, prej ditësh po merret me lajme të tilla si fluturimi i dronëve në kufi dhe “frika për një pogrom ndaj serbëve”. Derisa retorika është ashpërsuar shumë.

“S’u ka mbetur tjetër serbëve në Kosovë pos të hipin në traktorë dhe të ikin, ose të rrinë e të luftojnë”, deklaroi drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Kurse vetë Vuçiç – në rolin e zakonshëm – ka alarmuar gjithë vendin, vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie, anuluar të gjitha takimet dhe deklaruar se “ditët e ardhshme janë më të vështirat për serbët në këto 10 vjet”.

Të premten, si takimi i fundit i tij i rëndësishëm, për të marrë “aminin”, vizitoi Sinodin e Kishës Ortodokse Serbe (organi më i lartë i qeverisjes së kishës).

Tema ishte “njoftimi me çfarë po ndodhë dhe çfarë pritet të ndodhë në Kosovë”.

Kurse krejt në orët e vona të së premtes, kryetari i Mitrovicës së Veriut,  Milan Radojeviç, deklaroi se “jemi të gatshëm të luftojmë”.

Për këtë rrjedhë ngjarjesh, por edhe për faktin se ekzistojnë grupe paramilitare të organizuara në veri dhe të armatosura, sipas raporteve të inteligjencës së EULEX-it, ishte njoftuar Kurti.

Por, burimet e AP thonë se ekziston shqetësim që kryeministri Kurti do e preferonte një përplasje të armatosur në mes të forcave kosovare dhe atyre serbe.

Arsyeja? Ideja që kjo do të nxiste një mobilizim të shqiptarëve.

Të njëjtat burime thonë se ka indikacione që mund të ketë skema për organizime dhe mbledhje të luftëtarëve vullnetarë.

Kjo, si përgjigje ndaj çfarëdo kërcënimi që vjen nga Serbia.

A e sqaron ky shpjegim faktin që përkundër luhatjeve të raporteve, qortimeve amerikane, zhgënjimit evropian, paqartësisë në popull dhe potencialiteti për eskalim në terren, Kurti e ruan qetësinë?

Visar Ymeri është i bindur se të gjitha veprimet e deri tanishme “po shihen sikur tensionim i mundshëm i pjesës Veriore”.

Se po i frikësohen këtij tensionimi e ka thënë në një deklarim të vonë edhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret.

“Tensionet po i monitoron nga afër BE-ja dhe situatën në terren”, deklaroi Giaufret.

“Të mos ndërmarrin asnjë veprim apo të intensifikojnë retorikën”, ka lutur ai në emër të Unionit.

Pas tij ishte Manuel Sarrazin, që bëri një deklaratë duke nënkuptuar se mbase nuk është duke u kuptuar sa situatë e rëndë është në terren.

Në stilin e tij fjalëpakë lëshoi edhe një fjali të shkurtër. “Ka kaq shumë gjëra në sfond”, tha.

Kurse aktualisht, pikë e nxehtë, siç kupton AP nga burimet brenda policisë, është çështja e armëve të policëve serbë që kanë vendosur të largohen.

“Atyre u është thënë me gjasë që kur të largohen të largohen bashkë me armët”. Por, ligjërisht polici i larguar e ka për obligim që të dorëzojë armën dhe uniformën dhe kjo u është bërë e qartë edhe atyre rreth 400 vetave që pritet të lënë policinë.

Në anën tjetër, brenda policisë ka filluar mobilizimi që ai numër që lë strukturën, të zëvendësohet menjëherë me policë shqiptarë nga pjesë të tjera të Kosovës.

Tashmë ka filluar edhe vendosja e kabinave për vëzhgim, derisa po kalkulohet numri i policëve që duhet dërgohet për të zënë pikat që mbesin të zbrazëta.

Për të gjitha këto zhvillime kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akoma nuk është deklaruar.

Shpresa e shqiptarëve në Kosovë vazhdon të jetë që në çfarëdo situate, nëse rëndohet gjendja, ndërhynë forcat e KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore