Kosova

A ju kujtohet Fondi për FSK-në, çka ka ndodhur me të?


Fondi për Sigurinë i prezantuar me shumë pompozitet me 1 mars të vitit 2022, vazhdon të jetë aktiv, por qeveria e Kosovës akoma nuk është gati të tregojë se çfarë shume parash është grumbulluar në atë fond.

1 vit e 1 muaj më vonë nga themelimi, Albanian Post ka pyetur për fondin, por në një përgjigje nga Ministria e Financave, është thënë se shifrat e parave të grumbulluara nuk mund të tregohen.

Kjo, sepse është klasifikuar si sekret shtetëror.

“Fondi i Sigurisë vazhdon të jetë aktiv dhe mund të deponohen mjete”, ka thënë zyra për medie në Ministrinë e Financave përmes postës elektronike.

“Të dhënat dhe detajet tjera për shumën e mjeteve të grumbulluara në Fondin e Sigurisë janë të klasifikuara si konfidenciale, bazuar në vlerësimet profesionale, për shkaqe të aspekteve të sigurisë shtetërore, në pajtim me Ligjin Nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë”, thuhet më tej në arsyetimin e ministrisë, se përse nuk treguan paratë që janë mbledhur për një vit nga qytetarët, në këtë fond.

“Mjetet e mbledhura në llogarinë e Fondit të Sigurisë janë transparente dhe në dispozicion për autoritetet shtetërore që kanë të drejtë të qasjes, ndërsa do të shpenzohen vetëm për qëllimin për të cilin është krijuar Fondi”, përfundon komunikimi përmes postës elektronike i Ministrisë së Financave.

Më 1 mars të vitit 2022, kur e dha lajmin për themelimin e Fondit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se paratë e mbledhura do të shfrytëzohen për përmbushjen e nevojave të FSK-së duke thënë se ky fond është i domosdoshëm “pas agresionit rus në Ukrainë”.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, kishte shkruar Kurti atëkohë në Facebook.

Qeveria e Kosovës edhe më tej po refuzon të tregojë se cila është shuma e mbledhur në të ashtuquajturin Fondin e Sigurisë, fond i themeluar pasi u bë thirrje që qytetarët vullnetarisht të japin para aq sa kanë e munden për të rritur buxhetin për ushtrinë.

Për më tepër, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Ministria e Financave kishte njoftuar se kishte hapur një llogari ndërkombëtare për Fondin e Sigurisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes Facebook-ut kishte njoftuar më 29 dhjetor 2022, se “tani, kontributet në Fondin e Sigurisë që vijnë nga jashtë vendit mund t’i pranojmë edhe në llogarinë ndërkombëtare si më poshtë (foto 1), kurse ato që vijnë nga brenda vendit mund të përdorin llogarinë e hapur në BQK (foto 2)”, kishte thënë Murati.

Asnjë informatë më shumë.

Flutura Kusari, juriste e të drejtave të medias, në qershor të vitit 2022, kishte bërë një kërkesë për deklasifikimin e informacioneve rreth mjeteve të mbledhura për Fondin e Sigurisë, pranë Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë.

Flutura Kusari, Juriste e të drejtave të medieve

Në një prononcim të shkurtër për Albanian Post, juristja Kusari ka bërë të ditur se akoma nuk ka marrë përgjigje për kërkesën e saj rreth deklafifikimit të informacioneve për Fondin.

“Jam në pritje të vendimit të AIP dhe shpresoj të vendosin sa më shpejtë”, deklaroi Kusari.

Në kërkesën e drejtuar në AIP, ajo kishte cekur disa argumente, për të cilat ka thënë se ka mbështetje edhe Kushtetuese.

“Kushtetuta parasheh që financat publike menaxhohen në mënyrë transparente dhe po ashtu garanton të drejtën e qasjes në dokumente publike.

Buxheti për FSK dhe Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë është publik, njëjtë duhet të jetë buxheti i Fondit të Sigurisë.

Informacioni i kërkuar është vetëm statistikor, nuk rrezikon sigurinë e shtetit.

Vendimi për klasifikim nuk përmban testin e dëmit dhe të interesit publik”, ka theksuar Kusari.

Ajo ka shtuar se shuma e mbledhur në Fondin e Sigurisë, si informatë “nuk guxojnë të klasifikohen për të parandaluar turpërimin e një institucioni”.

“Tashmë ka precedent për deklasifikimin e informacionit siç është deklasifikimi i informacioneve për fondin për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë”, ka thënë Kusari.

Kjo është hera e parë që institucionet qeveritare refuzojnë të tregojnë për shuma të një fondi që mbushet nga paratë e qytetarëve të vendit.

Veç shumës që mbahet sekret, transparencë nuk ka pasur as në planin konkret se si do adresohen këto të holla.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore