A iu kujtohet Fabrika shtetërore e Ketchup’it – formula që shpëtonte ekonominë e Kosovës?

SHFLETO

Fotografia e punuar nga Albanian Post

 

Dreni Himbeqa
18.01.2023 7:30
Loading Icons...

Kosova vazhdon të ketë një ekonomi të dobët dhe prodhim të pakët të produkteve për eksport, por Albin Kurti, ende pa u bërë kryeministër, besonte se e ka gjetur recetën për ta zhvilluar ekonominë.

Atë e kishte zbuluar shkencëtari amerikan James Mease, kur në vitin 1812 në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës publikoi për herë të parë recetën për ketchupin/keqapin me përbërës kryesor domaten.

Kurti nuk po bënte shaka dhe as nuk po e thoshte rastësisht. Në fushatë elektorale kishte elaboruar në disa raste se si fabrikat e keqapit mund ta kthejnë për mbarë ekonominë e Kosovës.

Këto fabrika do nisnin një zinxhir funksionimi që i gjenin punë prej atij që kultivon domatet e deri te ai që e shet në market keqapin Made in Kosova.

“Hajde po supozojmë se po dëshirojmë t’i nxisim bujqit t’i mbjellin arat. Po dëshirojmë t’i nxisim me mbjell domate. A mund t’i nxisim bujqit për këtë duke ju thënë vetëm mbjellni domate?”, pyeste Kurti qytetarët, e një sekondë më vonë jepte përgjigjen vetë.

“Jo. Nuk mbjellën ato duke ju thonë mbjellni domate. A dini si mund të mbjellën domatet? Nëse ndërtohet një Fabrikë e Keqapit. Atëherë krejt do të mbjellin domate”, shpjegonte ai.

Ndonëse receta e amerikanit James Mease vazhdon të konsumohet shumë, fabrika e Kurtit nuk u hap kurrë.

Edhe pse dy vjet në qeveri në mandatin katër vjeçar, keqapi kosovar vazhdon të shijohet veç si ide.

Bujqit megjithatë po nxiten për kulitivim të kulturave të ndryshme, mes tyre dhe të domates, por njëjtë sic kishte ndodhur edhe në qeveritë e kaluara – përmes subvencioneve.

Për këtë arsye, njohësi i çështjeve ekonomike Safet Gërxhaliu, shpreh drojën e tij duke deklaruar se pikërisht politikat e subvencionimit po e rrëshqasin Kosovën më shumë në një shtet social se sa në një shtet zhvillimor dhe të qëndrueshëm ekonomikisht.

“Nëse një shteti i shkatërrohet prodhimi dhe i ik rinia dhe kështu shndërrohet në një shtet të varur nga importi ardhmërinë e ka shumë të zymtë”, thotë ai për Albanian Post.

I pyetur se sa është probabiliteti i krijimit të një Fabrike të Ketchupit, Gërxhaliu deklaron se në “kampanja zgjedhore premtohet shumëçka, por realizimi i këtyre premtimeve tani është në drejtim diametralisht të kundërt”.

Ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës pohon se në fund të fundit “emëruesi i të gjitha problemeve në Kosovë është stabilitet politik”.

“Derisa nuk do të ketë stabilitet politik ne do të diskutojmë për strategji dhe ëndrra të ndryshme, por ato do të jenë vështirë të realizuara. Për projekte ekonomike duhet të kemi parasysh faktorin njeri. Rinia po ik, Kosova po zbrazet. Jemi shndërruar në një shtet të varur nga importi. Viti 2022 është vit rekord i rritjes së importeve”, shpjegon më tej ai.

Haki Shatri dhe Safet Gërxhaliu

Në anën tjetër për ish-ministrin e Financave, Haki Shatri, ideja e kryeministrit Kurti atëbotë si një politikan opozitar, ekonominë nuk do ta zhvillonte në tërësi, por si si ide edhe është “në rregull”, por vetëm në rast se dikush nga biznesmenët kosovarë, por jo vetëm, shprehë interes për të investuar në një fabrikë e cila merret me përpunimin e produkteve bujqësore.

“Normalisht që stimulohet prodhimtaria edhe prodhuesit individualë, por nëse Qeveria nuk krijon kushte të favorshme për investime, atëherë zor se një biznesmen mund të tentojë ta bëjë një gjë të tillë, sepse kapitali privat shkon aty ku ka fitim më të madh”, deklaroi Shatri për Albanian Post.

Megjithatë, ai shton se nëse Kurti ka dhënë një ide të tillë duke menduar se fabrika në fjalë duhet krijuar me investime shtetërore, atëherë ka gabuar.

“Kur flet dikush për qasje makroekonomike, ai pikë së pari duhet ta njehë sistemin ekonomik të Kosovës. Kosova është e përcaktuar për ekonominë e tregut të lirë, për konkurrencën e lirë. Albin Kurti po flet për një sistem të ekonomisë e cila lehtë mund të dirigjohet”, shton ai.

“Unë këtë e shoh më shumë si një utopi të tij, sepse besoj se Kurti tash e ka kuptuar se nuk ka mundësi të investohet në fabrika. Ne jemi duke privatizuar qe 20 vjet sektorin shoqëror, shteti nuk investon shteti vetëm krijon kushte të favorshme për investitorët privat në të gjitha fushat”.

Meqë fabrika e keqapit – për arsye të panjohura – nuk po bëhet, qeveria mund ta mendojë edhe alternativën e sjelljes së një fabrike keqapi nga bota si investim i huaj.

Në një nga vizitat e Kurtit në SHBA, mund të pres pak rrugën edhe në Pitsburg në Pensilvania, ku gjendet fabrika e Kompanisë Heinze që prodhon keqapin e vlerësuar si më i miri në botë.