Shëndet

A është varësia nga gjumi një gjendje reale?


Ilustrim

Kur bëhet pothuajse e pamundur të hapësh sytë në mëngjes, ose kur e gjen veten duke luftuar për të kaluar ditën pa një sy gjumë, mund të filloni të pyesni veten: a është varësia nga gjumi një gjë e vërtetë?

Sipas Akademisë Amerikane të Mjekësisë së Gjumit dhe Shoqatës së Kërkimit të Gjumit, një i rritur mesatarisht kërkon të paktën 7 orë gjumë çdo natë. Kjo i referohet gjumit aktual, jo vetëm kohës së kaluar në shtrat.

Kur vazhdimisht nuk ndiheni të pushuar pas një gjumi 7-orësh dhe keni dëshirë për të fjetur gjatë ditës, mund të filloni të ndiheni sikur keni një varësi nga gjumi.

Megjithatë, përgjumja e tepërt mund të jetë shenjë e një problemi tjetër. Për shembull, kushtet e shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi ose medikamente të caktuara mund të kenë një efekt të ngjashëm.

Varësia është një çrregullim i trurit që përfshin dëshirën e detyrueshme për një substancë ose sjellje që mund të çojë në ndjekjen obsesive të një “shpërblimi”.

Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS), “varësia lidhet më së shpeshti me lojërat e fatit, drogën, alkoolin dhe duhanin, por është e mundur të jesh i varur nga pothuajse çdo gjë”.

Por a mund të zbatohet kjo për gjumin?

Sipas Gregory Potter, një nga specialistët kryesorë të Mbretërisë së Bashkuar në të ushqyerit, gjumin, ritmet cirkadiane dhe metabolizmin, “varësia nga gjumi nuk është një gjendje e njohur mjekësisht”.

Sipas Shoqatës Amerikane të Mjekësisë së Varësisë , njerëzit me varësi përdorin substanca ose përfshihen në sjellje që bëhen kompulsive dhe shpesh vazhdojnë pavarësisht nga pasojat e dëmshme.

Gjumi është një funksion biologjik që nuk është thelbësisht i dëmshëm.

“Për të përmbushur këtë përkufizim, gjumi do të duhej të çonte në pasoja të dëmshme, dhe kjo ndodh shumë, shumë rrallë”, thotë Potter.

“Përjashtimet e vetme do të ishin raste të tilla si dikush që bën diçka të rrezikshme gjatë ecjes në gjumë”.

Mariana Bodiu, psikoterapiste është dakord, sipas saj “ashtu si frymëmarrja, gjumi është biologjikisht i nevojshëm për të mbijetuar”.

Me pak fjalë, ndoshta nuk mund të jesh i varur nga gjumi.

Është një kusht tjetër?

Aktualisht, asnjë punim akademik nuk e njeh gjumin si një varësi, vëren Bodiu. Megjithatë, ajo shton se gjumi i tepërt mund të shkaktohet nga kushte të tjera.

“Hipersomnitë janë çrregullime të njohura të gjumit të karakterizuara nga gjumi i gjatë, përgjumja e tepërt gjatë ditës ose të dyja”, thotë Potter. Gjumi i tepërt gjatë ditës mund të shkaktohet edhe nga kushte të tjera.

Këtu përfshihen: narkolepsia, sindroma Kleine-Levin, hipersomnia idiopatike, apnea e gjumit dhe dysania ose pamundësia për t’u ngritur nga shtrati.

Është shumë e mundur që të keni një nga këto kushte dhe ta ngatërroni atë me një varësi nga gjumi.

Varësia nga gjumi kundrejt varësisë nga pilulat e gjumit

Ndërsa shumica e ekspertëve pajtohen se varësia e drejtpërdrejtë e gjumit nuk është një gjendje mjekësore, është e mundur të zhvillohet një varësi ndaj pilulave të gjumit. Kjo mund të çojë në simptoma të hipersomnisë.

“Plulat e gjumit mund të trajtojnë me sukses pagjumësinë afatshkurtër”, thotë Bodiu. “Kur përdoren siç duhet nën drejtimin e një profesionisti mjekësor, ato nuk kanë gjasa të kenë një ndikim serioz negativ”.

Megjithatë, shumica e medikamenteve rrezikojnë varësinë.

Përveç kësaj, mund të mos e kuptoni se jeni i varur nga një mjekim derisa të krijoni një tolerancë ndaj dozës ose të përjetoni simptoma të tërheqjes nga ndërprerja e përdorimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore