Lajme

A është e ardhmja kripto?


“E ardhmja është kripto”. Kjo është motoja e shumë investitorëve në kriptomonedha.

Por, a është e mundur që një monedhë virtuale të ndryshojë mënyrën e të bërit biznes? A po hyjmë në një fazë të re të transfertave dhe këmbimeve të vlerave monetare, ku bankat nuk do ta kenë më rolin e sotëm? Dhe, a do të jenë individët, me portofolat e tyre digjitalë, të cilët do kontrollojnë të ardhurat e tyre?

Sipas Besmir Semanajt, ekspert IT-je, për Albanian Post (AP) thotë se kriptovalutat janë krijuar për t’u përdorur në tregun e zi.

“Kriptovaluat fillimisht janë nisur të prodhohen dhe funksionojnë si ndërmjetësuese pagesash në ‘DarkWeb’, hapësirë e internetit ku kryhen aktivitetet e paligjshme”.

Por, a mund ta zëvendësojnë paranë?

Ekonomisti Vjoldi Danaj për AP-në mbështet mendimin se, gradualisht, njerëzimi do të shkojë drejt monedhave virtuale.

Sipas tij, ky është një proces që kërkon shumë kohë dhe investime. “Për të kaluar te monedhat virtuale, shtetet duhet të implementojnë ligjet dhe të krijojnë infrastrukturën e duhur. Ndryshe nga kjo aktualja”.

Danaj thotë se “trendi rritës i kriptovalutave do t’i orientojë të gjitha tregjet të kalojnë drejt kësaj teknologjie”.

Semanaj, nga ana tjetër, nuk është aspak i mendimit që kriptovalutat mund të zëvendësojnë mënyrën sesi ne bëjmë tregti.

Sa i përket faktit se “kriptovalutat janë krijuar për qëllime kriminale”, eksperti i IT-së thotë që “shumë shtete po mundohen ta rregullojnë me ligje përdorimin dhe shitblerjen e këtyre monedhave”.

Pas kësaj, “kauza dhe ideja fillestare pse u krijuan, do të bjerë dhe do të humbasin vlerën”.

Për T.M., njërin nga themeluesit e ALBCoin, kriptomonedha e parë shqiptare, ky transformim i tregut ka filluar.

Ai u shpreh për AP-në se tanimë shumë shtete po punojnë apo kanë në plan të nxjerrin kriptomonedhën e tyre shtetërore. “Për shembull, Europa me Digital Euro, Kina me Digital YAN, Singapori, Tunizia etj.”.

Sipas tij, kjo ndodh sepse ekonomistët e kanë kuptuar që sistemi aktual i kartëmonedhës “është me shumë mangësi kundrejt kriptomonedhave, të cilat janë valuta e së ardhmes!”

Çfarë do të ndodhë me bankat?

Rregullatorët, të cilët vendosin ligjet dhe infrastrukturën e nevojshme për kontrollimin e kriptove, sipas Semanajt, nuk e cenojnë statusin e bankave.

Sipas tij, ligjet do ta kufizojnë kriptomonedhën në atë mënyrë që, nëse do përdoret, do të kalojë përmes bankave. Kjo për të rritur sigurinë te përdoruesit.

“Roli i bankave dhe sistemi aktual nuk do cenohet, sepse edhe tani transaksioni final kalon nga bankat, në mënyrë që kjo monedhë të përdoret. Sot kemi shumë banka që po aplikojnë teknologjinë ‘Block Chain’, mbi të cilën funksionojnë kriptovalutat. Kjo teknologji jep shpejtësinë që kanë kriptovalutat, por me një superioritet në siguri ndaj përdoruesve”.

Sipas ekonomistit Danaj, bankat do të ndryshojnë “fizionominë e tyre”. Ai thotë se ato do të kenë më shumë “një rol menaxhues dhe thjesht për të favorizuar transaksionet”.

Specialisti i ekonomisë parashikon se “barrën kryesore të transformimit të tregut do ta kenë bankat, që do të transformohen sipas tregut të ri. Bankat që nuk përshtaten, do të zhduken”.

Themeluesi i ALBCoin gjithashtu mbron mendimin se “bankat nuk do të zhduken”. Por, sipas tij, nuk do të jenë më i vetmi opsion, sepse përballë do të kenë teknologjinë e kriptovalutave.

Sistemi i kriptovalutave, argumenton T.M., është më i decentralizuar sepse “privatësia dhe lirshmëria ekonomike do t’i jepet në dorë konsumatorit me apo pa dëshirën e bankave, të cilat do jenë të detyruara t’i pranojnë kushtet nëse duan t’i mbijetojnë tregut”.

A është ide e mirë të investohet në kriptovaluta?

Kriptomonedhat më të famshme tani për tani janë Bitcoin (BTC), Ethereum (ETH) apo Dogecoin (DOGE).

Sipas website-t, që studion tregun e kriptovalutave, Coinbase, BTC ka parë një rritje prej 97.7% gjatë vitit 2021, ETH është rritur me 455.87% dhe DOGE (e krijuar si shaka) është rritur me 10 mijë e 606%.

Bazuar në shifrat e mësipërme, stafi i ALBCoin argumenton se kjo tregon interesin e madh që njerëzit kanë për kriptovalutat. T.M. është i bindur që Bitcoin do të përdoret si njësia bazë e vlerës së mallrave.

“Do vijë dita që vlera e gjitha objekteve, materialeve nga fizike apo elektronike, që do të mund të blihen, nuk do kenë më vlerësimin mbi dollarë, lekë apo euro, por do të vlerësohen në raport me Bitcoin-in”. Prandaj, sipas tij, është ide e mirë që të investohet në kriptovaluta.

Trendin rritës të këtyre kriptomonedhave, Danaj e shpjegon me arsyetimin se furnizonin tregun e zi. Por, me dëshirën e shteteve që “t’i fusin në shina”, kërkesa dhe oferta do të jenë pak a shumë në të njëjtin nivel. Edhe çmimi do të jetë “me këmbë në tokë”.

Rritja e vlerës së kriptovalutave ka bërë që shumë persona të investojnë në to.

“Fatkeqësisht”, thotë Semanaj, “njerëzit nuk janë aq skeptikë sa do duhej të ishin”, prandaj dhe hedhin shuma të mëdha për të blerë kriptomonedha.

Si një nga kritikuesit kryesorë shqiptarë të kriptovalutave, eksperti i IT-së jep një këshillë që “nëse do të investoni, investoni në shuma të cilat nuk do ishte problem t’i humbisni”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore