Pajisje

A duhet të çinstalohet antivirusi Kaspersky?


Pas një interviste për “Corriere della Sera” është rihapur rasti i antivirusit rus, Kaspersky.

Nënsekretari i kryeministrit italian për sigurinë kombëtare, Franco Gabrielli, ka thënë se “duhet të çlirohemi nga varësia me teknologjinë ruse”.

“Të tilla si sistemet antivirus të prodhuar nga rusët dhe të përdorur nga administratat tona publike, për t’i parandaluar ato të shndërrohen në një mjet sulmi nga një mjet mbrojtës”, ka treguar ai.

Gabrielli nuk ka përendur emra, por referenca për Kaspersky-n është e qartë.

Zgjidhjet antivirus të Kaspersky-n janë ndër më të përdorurat në botë dhe janë të miratuara nga administrata të ndryshme publike italiane.

Janë afro 2 mijë e 700 partneritete me sektorin publik dhe përfshijnë ministritë, bashkitë, disa sektorë të forcave të policisë, që kanë marrë pjesë në shërbimet publike.

Po ashtu Kasperksy bashkëpunon me shumë kompani private të njohura.

Por a mund të jetë antivirusi Kaspersky kali trojan i Putin-it?

A duhet të hiqet qafe sa më shpejt nga të gjithë dhe jo vetëm nga administratat publike?

Këto janë pyetjet që ngre “Corriere della Sera”.

Si fillim, nevojitet të njihet kompania dhe se kush qëndron pas saj.

Ajo u themelua në Moskë nga Eugene Kaspersky në vitin 1997. Që në vitin 1989 Kasperky zbuloi virusin kompjuterik Cascade dhe zhvilloi një mjet për ta luftuar atë.

Ai bëhet baza e antivirusit AVP, i cili në vitin 2000 do të marrë emrin përfundimtar Kaspersky Anti-Virus.

Pronari është një personazh i njohur publik në industri, gazmor dhe i drejtpërdrejtë.

Pesë vjet më parë, pas një rritjeje të pandalshme që e bën atë një nga njerëzit më të pasur në Rusi, kompania pësoi një ndalesë të parë, duke përfunduar në pikëpyetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ata më sulmojnë për të goditur Putin-in”, ka thënë Kaspersky në një intervistë të vitit 2017.

“Çfarë do të bëja nëse Putin-i do të më kërkonte të ndihmoja shërbimet sekrete ruse? Do t’i thosha jo. Nëse një kompani e sigurisë kompjuterike do të bënte ndryshe, do të ishte e vdekur”, ka shtuar ai.

Kompania ruse, prej asaj kohe, ka bërë disa lëvizje për të kërkuar pavarësinë e saj nga Kremlini.

Nisi Iniciativën e Transparencës Globale dhe zhvendosi qendrën e saj të të dhënave në Zürich, e cila ruan dhe përpunon të gjitha informacionet e përdoruesve nga Evropa, Amerika e Veriut, Singapori, Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe vende të tjera.

Megjithatë, fakti që një kompani me aftësitë dhe buxhetet e Kaspersky-t operon në një sektor kaq strategjik për Putin-in, vazhdon të ngrejë dyshime dhe akuza.

Ka të bëjë edhe e kaluara e tij.

Eugene Kaspersky është një matematikan i diplomuar në vitin 1987 në Fakultetin e Matematikës, Telekomunikacionit dhe Shkencave Kompjuterike, asokohe i lidhur me KGB-në.

Agjencia prej andej mori ekspertët më të mirë në kriptografi.

Por ai ka mohuar të ketë shërbyer ndonjëherë në KGB.

Ndërkaq, historia e Kaspersky-t nuk është shumë e ndryshme nga ajo e Huawei-t dhe Zte-s, të akuzuara nga shumë qeveri dhe entitete perëndimore.

Për ekspertin Corrado Giustozzi ka një ndryshim.

Për Huawei-n, këto ishin pajisje hardware-i që ishin të vështira për t’u analizuar. Kaspersky ka lidhje me software-in, i përbërë nga kodi që për nga natyra e tij është i verifikueshëm.

Giustozzi ka kujtuar se si antivirusi e ka kaluar ekzaminimin në Institutin e Lartë të Komunikimeve dhe Teknologjive të Informacionit, i cili i raporton Ministrisë së Zhvillimit.

Ai ka shtuar se vitet e fundit, “Kaspersky ka ofruar mundësinë e ekzaminimit të kodeve burimore për personat e akredituar”.

Sipas tij, rreziqet janë aty.

“Është e besueshme që në kontekstin aktual, kompania mund të marrë presion ose kërcënime nga qeveria ruse. Nuk mendoj aq shumë për një skenar aktiv spiunazhi, por më tepër për një malware të krijuar nga vetë rusët që antivirusi nuk mund ta zbulonte vullnetarisht dhe ta linte të kalonte”.

Në atë moment, malware-i do të fillonte të punonte në heshtje në makinat e prekura, duke bërë atë për të cilën është krijuar.

Për nga natyra, antivirusi është një software që dërgon të dhëna nga makina në të cilën është instaluar.

Referuar Giustozzi-t, problemi është politik dhe siguria kombëtare jo rreptësisht teknike.

Fakti që Kaspersky është rus është i rëndësishëm, por nuk e bën automatikisht problem sepse ka luftë.

Spiunazhi dhe infiltrimi bëhen edhe në kohë paqeje. Dhe ato bëhen mbi të gjitha ndaj aleatëve. Ka prova nga vitet e fundit.

Prandaj, tema më e gjerë është siguria dhe sovraniteti mbi software-in dhe mbi sistemet operative.

“Disa shtete kanë një fuqi shtrëngimi mbi kompanitë private, por kjo nuk vlen vetëm për ato jodemokratike. Është gjithashtu e drejtë të shqetësohesh për cloud-in, i cili është i gjithi në duart e emrave të mëdhenj amerikanë, si dhe sistemet operative për kompjuterë dhe telefona inteligjentë”.

Prandaj, për Giustozzi-n, është një problem me të cilin Evropa në tërësi duhet të përballet.

“Dokumenti i parë evropian për sigurinë kibernetike daton në vitin 2013. Ai u zbatua thuajse plotësisht, me përjashtim të pjesës ku thuhej se krijonte kushtet për një treg evropian të sigurisë digjitale. Sot Evropa është skllav i prodhuesve, pajisjeve dhe software-ve të krijuar në pjesën tjetër të botës”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore