Lajme

A do të rriten çmimet e naftës në 2021?


Çmimet e naftës Brent u rritën mbi 55 dollarë javën e kaluar për herë të parë që nga shkurti.

Çmimet e naftës amerikane (West Texas Intermediate) arritën në 50 dollarë.

Arabia Saudite vendosi uljen e prodhimit me një milion fuçi në ditë në shkurt dhe në mars.

Nga mbledhja e Organizës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatëve të saj (OPEC+) në janar u vendos që prodhimi të mbahej në nivele konstante dhe të ulëta.

Pandemia ndikoi që kërkesa për naftë të ulej me nëntë milionë fuçi në ditë. Prodhimi arriti në 90.3 milionë fuçi në ditë.

Kjo rënie e kërkesës ndodhte pas tetë vitesh rritjeje të prodhimit të naftës.

E ardhmja e çmimeve të naftës

Çmimet e naftës Brent pritet të shkojnë nga 51 deri në 60 dollarë për fuçi deri në mes të vitit.

Kompania amerikane e investimeve, Goldman Sachs, ka parashikuar një rritje të çmimeve deri në 65 dollarë.

Këto parashikime lidhen me rritjen e numrit të vaksinimeve dhe përmirësimin e motit. Zhvillimet me vaksinat dhe motin pritet të ngadalësojnë ritmin e infeksioneve. Këto zhvillime do të kthejnë normalitetin në jetën e përditshme dhe rrjedhimisht do të rrisin kërkesat për konsum.

Duke marrë në konsideratë rritjen e çmimeve të naftës, një pasiguri mbizotëron tregjet në lidhje me nivelet e prodhimit.

Pas muajit prill, OPEC-u pritet të heqë kufizimet për sasinë e prodhimit dhe mbetet për t’u parë nëse do të arrihet marrëveshje mes shteteve për nivelin e prodhimit.

Në fokus do të jetë dhe vendimi i prodhuesve amerikanë, që nuk janë pjesë e OPEC+ pas vendimit për uljen e prodhimit.

Zhvillimet e reja në lidhje me shpimet e naftës e kanë kthyer SHBA-në në prodhuesin më të madh të naftës në botë. Prodhuesit amerikanë pësuan goditje nga borxhet, rënia e çmimeve të naftës dhe pandemia duke e bërë të vështirë konkurrencën në tregje me Arabinë Saudite.

Arabia Saudite vendosi të rriste prodhimin në mars duke goditur në këtë mënyrë prodhuesit amerikanë.

Sipas analistëve, pavarësisht zhvillimeve në lidhje me vaksinën dhe industrinë e naftës, ka akoma skepticizëm për prodhimin dhe rritjen e çmimeve të saj./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore