Lajme

A do të rrisë rastet me COVID-19 ardhja e diasporës në Kosovë?


Ilustrim.

Në Evropë rastet me Coronavirus kanë shënuar rritje, por pavarësisht kësaj ministria e Shëndetësisë në Kosovë nuk do vendos ndonjë masë kufizuese për ardhjen e diasporës në Kosovë në festat e fundvitit.

Kështu ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë për Albanian Post përmes një përgjigje me shkrim

“Në Kosovë mund të vijë çdo qytetar shtetas kosovar dhe i huaj, duke respektuar vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me COVID-19, duke poseduar dëshminë e vaksinimit të kompletuar”.

“Por, edhe ndonjërin  nga tre llojet e testeve si PCR, test antigjenik apo test të antitrupthave, të bëra sipas kushteve të caktuara në vendime”.

Ministria e Shëndetësisë.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se pavarësisht që situata është nën kontroll për momentin kjo nuk mund të thuhet se do të vazhdoj edhe muajt e ardhshëm.

“Kjo situatë nuk mund të jetë edhe me periudha të gjatë si në muajt, dhjetor, janar, tani është koha e ftoftë dhe mundësitë për përhapjen e virusit COVID-19 janë edhe më të mëdha”.

Sipas Ramadanit, “ardhja e diasporës në ditën në vijim mund të ndikoj në krijimin e një situate ndryshe me COVID-19”.

Ramadani konsideron se ende ka shumë pak të vaksinuar në Kosovë.

“Grumbulli i njerëzve në lokale po bën që të mos respektohen masat COVID-19, por përvec kësaj kemi edhe pak të vaksinuar akoma, e po ashtu ka interesim jashtëzakonisht të vogël për marrje të vaksinës këto javët e fundit”.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Situata epidemiologjike në Evropë

Më 25 nëntor, Gjermania është bërë shteti i fundit që ka regjistruar mbi 100 mijë  viktima me Coronavirus, prej shpërthimit të pandemisë.

Sipas të dhënave të publikuara të enjten nga autoritetet gjermane, në periudhë 24-orëshe janë regjistruar 351 vdekje shtesë, duke e çuar totalin në 100 mijë e 119.

Në Evropë, Gjermania është shteti i pestë që ka kaluar këtë shifër pas Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Francës.

Edhe shteti i Sllovakisë ka paralajmëruar një bllokim të plotë.

COVID-19 në Evropë.

E në Austri personat e pavaksinuar janë vendosur në izolim, si një përpjekje për të luftuar infektimet që kanë arritur nivele rekorde.

Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputiva ka bërë thirrje që vendi të futet në një izolim të rreptë pas rritjes së rasteve me COVID-19.

Po ashtu republika Çeke ballafaqohej më 25 nëntor me dy sfida përballë pandemisë derisa numri në rritje i personave të infektuar ka detyruar vendin të shpallë gjendje të jashtëzakonshme e në anën tjetër presidenti, Millosh Zeman është hospitalizuar sërish pasi rezultoi pozitiv me COVID-19.

OBSH-ja paralajmëroi të mërkurën e 24 nëntorit se në rast se vazhdon trendi i njëjtë i infektimeve, atëherë, gjatë këtij dimri në Evropë nga COVID-19, mund të humbasin jetën rreth 700 mijë persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore