Shqipëria

A do jetë Kuvendi i Berishës ‘prekja e fundit’ e përcaktimit të fatit të PD-së?


Votëbesimi i kreut të Partisë Demokratike dhe diskutimet për aksionin opozitar.

Këto dy çështje do të jenë kryefjalë e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili mbahet këtë të shtunë të 2 dhjetorit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Organizimi vjen disa javë pasi opozita, ajo e drejtuar nga Berisha ka zhvilluar aksione, të cilat kanë qenë në terren të ngushtë – në Kuvend.

Në takimet e fundit që ka pasur me demokratët në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ish-kryeministri u ka kërkuar qytetarëve të ngrihen dhe organizohen, si mënyra e vetme për të shkuar drejt një “fitoreje të sigurt”.

Dhe, përpos kësaj premtimet për protesta të mëdha nuk kanë qenë të pakta. Pritjes për një datë të caktuar i erdhi fundi.

Vetë kreu i Rithemelimit ka konfirmuar se fillojnë më 8 tetor.

Pas kësaj nuk ka të “ndalur”. Sa i takon formës së tyre, Berisha siguron se nuk do të jenë të “zakonshme”. Se çfarë pritet të shihet… i mbetet kohës, se siç ai konfirmoi “Shqipëria nuk i ka njohur deri më sot”.

Para se të shkojë te protestat, Berisha është “vetëm” në Kuvendin që mban. Jo pa mbështetësit e tij, as deputetët, por pa bashkëudhëtarin e tij të aksionit opozitar brenda Kuvendit, deputetin Gazment Bardhi.

Megjithatë, për këtë lideri opozitar nuk ka hatërmbetje.

“Është apo jo i bashkuar po e dëshmon beteja që po bëjnë në Parlament, e fshinë Parlamentin monist, e mbushën me bodyguard. Ishim bashkë aty kur Rama erdhi me autokolonë makinash sikur të ishte Kim Jong Un”.

Sipas tij, grupi është simbol i qëndresës së PD dhe probleme të cilat nuk i injoron, janë në zgjidhje e sipër.

“Ky është një proces statutor. Ka qëllim të përcaktojë për çdo demokrat projektin tonë”.

Në Kuvend, do ketë kohë dhe për qytetarët. Këto të fundit do thonë fjalën e tyre.

Kështu të paktën tha ish-kryeministri Berisha.

“Sot revolta po zien në shpirtin e çdo shqiptari. Sot më shumë se kurrë, imagjinata e shqiptarëve punon për mosbindjen civile”, përcaktoi drejt mbylljes.

“Parlamenti është bërë shembulli më i gjallë, më frymëzues, më magjepsës i të gjithë atyre që janë të vendosur të angazhohen në një betejë pa kthim për përmbysjen e këtij regjimi banditesk”.

Në rendin e ditës, sipas njoftimit janë edhe disa pika të tjera që lidhen me zhvillimet e brendshme në parti.

Dhe, s’kishte si të mungonte dhe “gjendja ku e ka futur Shqipërinë politika anti-shoqërore dhe anti-kombëtare e Edi Ramës”.

Situata në PD është pak konfuze. Tre grupime, dy kryetarë dhe një vulë.

Kjo pasi, pavarësisht “luftës” së gjatë për zotërimin e vulës, kjo e fundit i mbeti kryedemokratit Lulzim Basha.

Ama asetet e partisë, duke filluar nga selia e deri te përdorimi i emrit më shumë i ka mbetur Berishës.

Gjithsesi sot, sytë janë nga Kuvendi i cili ka “premtuar” se do caktojë fatin e Partisë Demokratike….

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore