Lajme

Hungaria, paralajmërim për të djathtën sovraniste evropiane


Një hap përpara dhe dy hapa prapa. Hapi i karkalecit të detit duket se është strategjia e miratuar nga kryeministri hungarez Viktor Orban në raportin e tij me Brukselin.

Së pari provokon me politikën e tij anti-evropiane, teorizon demokracinë joliberale, drejton të djathtën sovraniste të kontinentit deri në pikën e thyerjes me liderët e Unionit. Më pas, një hap larg pikëthyerjes, ai bën kthesë për të shmangur hakmarrjen.

Ndodhi sërish këtë herë.

Komisioni Evropian kishte miratuar njëzëri një rekomandim që bllokoi 7.5 miliardë fonde të BE-së për qeverinë e Budapestit për shkak të “shkeljes sistematike të parimeve të shtetit të së drejtës”. Ishte një sanksion ekonomik shumë i rëndë, i barabartë me 5% të PBB-së hungareze.

Vendimi erdhi pasi Parlamenti Evropian miratoi me shumicë një raport që përcakton Hungarinë “një autokraci zgjedhore” dhe “një kërcënim sistemik për vlerat e BE-së” duke i bërë thirrje Komisionit të marrë masa konkrete kundër Budapestit ku  “janë reduktuar ose hequr të drejtat e grave dhe homoseksualëve dhe  reduktuar liritë e medias, universiteteve dhe gjykatave”.

Një votë të cilën e kundërshtuan të gjitha partitë e ekstremit të djathtë evropian: Lega dhe Fratelli d’Italia, Rassemblement National e Marine Le Pen, Alternative für Deutschland, Spanjollët e Vox dhe Demokratët Suedez.

Përgjigja e Budapestit për Brukselin ishte e menjëhershme: sot ministri i Presidencës së Këshillit hungarez, Gergely Gulyas, deklaroi se Budapesti do të krijojë një departament kundër korrupsionit dhe një grup pune me organizata joqeveritare për të mbikëqyrur shpenzimet e fondeve të BE-së sipas kërkesave të Komisionit Evropian.

“Qeveria pranoi kërkesat e Komisionit Evropian, ose në pikat ku nuk mund t’i pranonim, arritëm të kemi një kompromis të kënaqshëm për të dyja palët. Ministri siguroi se deri në nëntor qeveria hungareze është e përkushtuar të respektojë kërkesat evropiane.

Hungaria merr më shumë para se sa derdh në arkat evropiane. Në veçanti, midis 2014 dhe 2020, vendi mori kontribute neto prej 31.3 miliardë euro: diçka e barabartë me 10% të PBB-së së tij.

Me fondet e marra, Hungaria ka ndërtuar autostrada dhe linja hekurudhore të reja, ka përmirësuar transportin publik në kryeqytetin Budapest dhe ka punuar për infrastruktura të reja në parandalimin e përmbytjeve pranë rrugëve ujore në rrezik.

Bazë për masat e Brukselit nuk janë vetëm sjelljet jodemokratike të qeverisë Orban, të cilat kulmuan me dekretin e fundit që kufizon rregullat për abortin dhe detyron mjekët të bëjnë gratë të dëgjojnë rrahjet e zemrës së fetusit.

Por edhe përqindja shumë e lartë e korrupsionit e konstatuar në vend, sidomos në dëm të financimit evropian, prerogativë e oligarkëve dhe të afërmve të kryeministrit Orban.

Në fakt, Hungaria renditet në 70 nga 198 vende në vitin 2019 sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të organizatës së mirënjohur “Transparency International” – shifra e dytë më e keqe në BE, e paraprirë vetëm nga Bullgaria.

Korrupsioni është një fenomen i përhapur në vendin e Orban-it sipas 87% të hungarezëve të intervistuar në një studim të Eurobarometrit të publikuar në qershor 2020, një shifër më e lartë se mesatarja e BE-së prej 71%.

Orban sulmon Evropën, por ai nuk mund të jetojë pa paratë e saj. Dhe Brukseli i tha mjaft politikës së tij të karkalecit të detit dhe i dha një stop për momentin të djathtës sovraniste evropiane.

Një paralajmërim ky edhe për Melonin dhe Salvinin që po përgatiten të ulen në qeverinë e Romës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore