Shqipëria

Gjykata lë në burg 22 efektivë policorë në Kukës


Për 22 efektivë të Policisë, për të cilët u faktua se ishin përfshirë në një skemë vjedhjeje të pagesave dhe gjobave të automjeteve, është konfirmuar nga Gjykata masa e sigurisë e arrestit me burg.

Efektivët “shënjestronin” kryesisht automjete me targa të Kosovës, ndërsa dëmi nga mos arkëtimi i gjobave, shumë të cilën policët e merrnin për vete, llogaritet në 2.2 milionë lekë.

Pas një seance të gjatë maratonë gjatë të shtunës së 21 shtatorit, Gjykata e ka marrë vendimin për të gjithë efektivët.

Më 19 shtator, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka bërë me dije se ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Kukësit që ka caktuar masa sigurie për 22 punonjës policie, të dyshuar për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre.

“Nga hetimet disa mujore me metoda speciale nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore i abuzimit të punonjësve të policisë së qarkullimin rrugor, në rastet e konstatimit të shkeljeve nga ana e drejtuesve të mjeteve me targa të huaja”, njoftoi AMP.

Efektivët në terren, duke keqpërdorur aksesin në sistemet dhe databazat e policisë konstatonin shkeljen dhe administronin shumën monetare duke i dhënë shoferit procesverbalin përkatës.

Në vijim ata nuk kryenin arkëtimet dhe nuk bënin pasqyrimet përkatëse në sistem, me qëllim përvetësimin në mënyrë të paligjshme të parave të marra nga gjobat administrative.

Sipas hetimeve ka rezultuar se në total janë vjedhur 2.2 milionë lekë të reja.

AMP thotë se prej masave të sigurisë, gjashtë janë lënë në arrest me burg, katër në arrest shtëpie, katër në detyrim paraqitjeje e ndalim i daljes jashtë shtetit dhe tetë të tjerë vetëm detyrim paraqitje.

Prej efektivëve, vetëm njëri është shpallur në kërkim pasi nuk u gjet nga AMP.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore