Shqipëria

Kumbaro e quan ‘të suksesshëm’ sezonin veror 2024


Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e ka quajtur një sukses sezonin veror 2024, duke përmendur se ka pasur rreth 20% më shumë vizitorë të huaj, se sa vitin e shkuar 2023, gjatë të njëjtës periudhë.

Gjatë një interviste televizive, Kumbaro iu referua shifrave, për të shpalosur se ky sezon veror, i cili u la pas, ka reflektuar një numër turistësh të huaj më të lartë se sa ai i vitit 2023 dhe po ashtu edhe të ardhurat, kanë parë rritje të ndjeshme.

“Deri në fund të gushtit mund ta konsiderojmë një sezon verior të suksesshëm”, përmendi Kumbaro. “Gushti u mbyll me 8.5 milionë vizitorë, që e shprehur në përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi rreth 20% më shumë vizitorë të huaj”.

Më tej ministrja shtoi se ndërkohë që është e thjeshtë të llogariten vizitorët e huaj, është e vështirë të kryhen llogaritë edhe për turizmin vendas. Jo thjesht i njerëzve, të cilët jetojnë në Shqipëri, por edhe i shqiptarëve jashtë vendit, të cilët vijnë të kalojnë sezonin veror në Shqipëri.

“Ata nuk i llogarisim dot në këtë shifër. Kriteri që kemi zgjedhur është që vizitorët që hyjnë në sistemin TIMS në të gjitha pikate kufirit me pasaportë të huaj, i llogarisim si turistë të huaj”, tregoi Kumbaro.

Nga ana tjetër, ministrja iu përgjigj edhe zërave se shifrat mund të mos jenë të sakta, duke thënë se ato përllogariten vetëm përmes sistemit TIMS dhe ky i fundit është i pagabueshëm, pasi është elektronik dhe përtej fluksit, përcakton edhe prejardhjen, moshën dhe se sa herë dikush mund të ketë hyrë në Shqipëri.

Përpos kësaj, edhe sistemi i statistikave të INSTAT është në mbështetje me metodologjitë e veta për të përcaktuar preferencat turistike, si netët e qëndrimit, turizmin detar ose malor, apo aspekte të tjera.

Sezoni i fundit veror ndërkohë ka qenë i sigurt sipas saj, pasi operatorët turistik kanë pasur rezervime që më përpara për këtë vit.

Teksa, sa i takon aspektit ekonomik, ajo përmendi se ka rritje edhe të të ardhurave nga turizmi.

Llogaritja deri tani është bërë për gjashtë muajt e parë të vitit, sipas ministres, ku ka një rritje me 500 milionë euro të ardhura.

Nëse vitin e kaluar, në gjashtëmujorin e parë ka pasur shifër të arrirë prej 1.5 miliardë eurosh, këtë vit shkon në 2 miliardë euro për të njëjtën periudhë.

Ndaj ka optimizëm se deri në fund të vitit, do të ketë një shifër më të lartë arkëtimesh se sa ajo prej 4.3 miliardë eurosh, e cila u arrit në vitin 2023 – një rekord historik për vendin nga turizmi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore