Shqipëria

Një shtet Bektashi brenda Tiranës – Si mund të funksionojë?


Opinioni publik në Shqipëri u kaplua menjëherë nga publikimi i një artikulli në median prestigjioze amerikane, New York Times, ku artikulohej qartë se ka plane konkrete për krijimin e një entiteti shtetëror brenda Tiranës, për komunitetin Bektashi.

Një fakt ky i publikuar nga vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, pjesë e një artikulli të gjatë të NYT rreth çështjes, si edhe nga kryegjyshi botëror, Edmond Brahimi, i njohur me titullin e tij fetar Baba Mondi.

Sipas komentit të NYT, nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë ky shtet do të jetë më i riu dhe më i vogli në botë. Ndërsa, kryeministri Rama, shpalosi planin për ta emërtuar “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”.

“Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, Rama për NYT: Një shtet i ri mysliman brenda Tiranës

Baba Mondi qartësoi se vendimet, të çfarëdo lloji të jenë ato, do të merren me “dashuri dhe dashamirësi. Ai është udhëheqësi kryesor i Bektashinjve, një rend sufi shiit i themeluar në shekullin e XIII-të në Turqi, por tani me qendër në Shqipëri.

Teksa, territori i shtetit të ri bektashi të propozuar është një kompleks në një lagje banimi me qira të ulët në Tiranën lindore.

Për Baba Mondin, vendodhja dhe madhësia nuk kanë rëndësi. As ndonjë nevojë që ai të ndjekë një shembull “diktatorial”, duke qenë se emërimi i tij nënkupton qëndrimin në pozitën e drejtuesit të kultit deri në vdekje.

Ndërsa pranoi se kufizim domethënës, sheh vetëm autoritetin e Zotit.

Por pa shumë detaje të përmendura dhe me hije dyshimi, si mundet një entitet i tillë, të funksionojë?

Bota njeh shembuj konkretë dhe shumë të afërt me Shqipërinë në fakt. Edhe pse do të ishte një rast relativisht i ri dhe i padëgjuar në Shqipëri, Vatikani është shembulli më i mirëfilltë i një shteti ku bazë është kleri i një feje.

Pra, si mundet komuniteti Bektashi, të funksionojë brenda një administrate shtetërore të mirëfilltë, me shembull Vatikanin?

Ky i fundit, është formuar pas Traktatit Lateran, nënshkruar në vitin 1929, kur Qeveria Fashiste italiane e njohu pavarësinë e Vatikanit. Kjo referuar historisë moderne dhe konceptin e shtetit në modernitet.

Kur Papa zgjidhet për të udhëhequr Kishën Katolike Romake, ata ushtrojnë pushtetin sovran. Brenda qytet-shtetit, ai zotëron autoritet të shfrenuar në të tre degët e qeverisjes: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor.

Vetëm në vitin 1984, kur Curia Romake iu nënshtrua një riorganizimi dramatik, Sekretariatit të Shtetit iu dha autoriteti për të mbikëqyrur operacionet e përditshme në qytet-shtetin e Vatikanit.

Priftërinjtë dhe murgeshat përbëjnë shumicën e popullsisë, por disa qindra laikë punojnë në punë sekretarie, shtëpiake, tregtie dhe shërbime në qytetin e Vatikanit.

Nga sa kuptohet prej intervistës së Baba Mondit me New York Times, në rastin e Bektashinjve fillimisht paramendohet të ushtrohet pushteti sovran i Kryegjyshit botëror.

Nuk dihet ndërkaq nëse do të ketë administratë, apo pasaporta të posaçme. Por, në të tillë rast, do të duhej edhe që shteti fillimisht të njihej ndërkombëtarisht, që të njiheshin kështu edhe pasaportat e tij për udhëtime në vende të tjera.

Nëse bazohemi sërish në rastin e Vatikanit, Papa është rezident brenda perimetrit të qytet-shtetit. Por, duhet përmendur gjithashtu fakti se aty ndodhet edhe Selia e Shenjtë dhe nuk kuptohet se si kjo gjë mund të funksionojë në rastin e Bektashinjve.

Por, në bazë të deklaratave të kryeministrit Rama, nëse realisht vendoset që qytet-shteti të ngrihet në një lagje lindore të Tiranës, në një zonë të tillë përkon edhe Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, ndaj ajo mund të jetë vendodhja ekzakte, me struktura të cilat tashmë gjenden aty dhe janë në përdorim të komunitetit.

Gjithashtu, si në rastin e Vatikanit në Romë, kufiri i këtij terriroti mund të mos krejtësisht i rrethuar dhe të jetë i aksesueshëm lirisht nga qytetarët e thjeshtë, me kontrollet përkatëse.

Për të kuptuar mbetet edhe se si do të funksionojë rendi brenda këtij territori, ku nëse i referohemi rastit të Vatikanit, Papa dhe territori mbrohen nga një grup i Rojës Zvicerane që prej vitit 1506, me emblemën, veshjet dhe rregulloret e posaçme të tyre.

Teksa, lidhur me financimet, pavarësisht sovranitetit, ato duhet të deklarojnë të ardhurat financiare në banka rreth aktiviteteve dhe shpenzimeve që mund të kryejnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore