Lajme

Turqia i bën thirrje Perëndimit të ndërmarrë ‘hapa parandalues’ kundër veprimeve izraelite


Sulmet ndaj Libanit këtë javë treguan se qeveria izraelite planifikoi të përhapte luftën në rajon, tha të shtunën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke u bërë thirrje vendeve perëndimore të ndërmarrin “hapa parandalues” kundër veprimeve të Izraelit.

Erdogan tha në një konferencë për shtyp se lufta e Izraelit në Gaza do të kryesojë agjendën e fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën.

“Në mënyrë që rajoni ynë të mos tërhiqet në një fatkeqësi të madhe, presioni ndaj Izraelit duhet të rritet edhe më shumë”, tha Erdogan në një konferencë për shtyp në Stamboll.

Ai po komentonte sulmet në Liban këtë javë, duke përfshirë shpërthimin e pajisjeve pager të anëtarëve të Hezbollahut dhe walkie talkie-ve radiofonik, që vranë 39 njerëz.

Sulmet ndaj pajisjeve të komunikimit besohej gjerësisht se ishin kryer nga Izraeli, i cili as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përfshirjen e tij.

“Është koha që të gjitha vendet me misionin e mbrojtjes së paqes botërore të gjejnë zgjidhje që do të ndalojnë Izraelin”, tha Erdogan. “Për t’i dhënë fund kësaj shtypjeje që po vazhdon prej gati një viti, për të vendosur një armëpushim të përhershëm dhe për të siguruar rrjedhën e papenguar të ndihmave humanitare, të gjithë ne, e gjithë bota dhe veçanërisht OKB-ja, kemi detyra të rëndësishme”.

Turqia ka denoncuar veprimet e Izraelit në Gaza, të cilat erdhën si hakmarrje ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Izraeli thotë se rreth 1 mijë e 200 njerëz u vranë dhe mbi 250 njerëz u morën peng gjatë sulmit. Ofensiva e mëvonshme ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës ka vrarë më shumë se 41 mijë palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë të enklavës.

Ankaraja gjithashtu ka ndalur të gjithë tregtinë me Izraelin dhe ka paraqitur një kërkesë për t’u bashkuar me çështjen e Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që akuzon Izraelin për gjenocid. Izraeli ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat e rastit për gjenocid si të pabaza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore