Kosova

Kosova aderon në Konventën e Stambollit në Organizatën Botërore të Doganave


Kosova ka aderuar në Konventën e Stambollit në Organizatën Botërore të Doganave.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.

Me këtë aderim, siç potencohet në komunikatë, synohet lehtësim i tregtisë, tërheqje e investime të huaja dhe integrim në ekonominë globale.

“Dorëzimi zyrtarë i instrumentit të anëtarësimit në Konventën për Pranim të Përkohshëm, u bë nga Udhëheqësi i Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Ambasadori Agron Bajrami dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, përderisa nënshkrimi i saj ishte bërë nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz”, thuhet në komunikatë.

Si anëtari i 81-të i Konventës së Stambollit, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kosova i bashkohet një numri në rritje të vendeve që përfitojnë nga procedurat doganore të thjeshtuara për importet e përkohshme.

“Ky anëtarësim do të përmirësojë përpjekjet e Kosovës për lehtësimin e tregtisë, do të tërheqë investime të huaja dhe do të forcojë integrimin e saj në ekonominë globale, duke mbështetur kështu rritjen e qëndrueshme ekonomike”.

Konventa e Stambollit, e miratuar në vitin 1990, thjeshton pranimin e përkohshëm të mallrave përtej kufijve, përderisa OBD luan një rol kyç në mbikëqyrjen e zbatimit të konventës dhe ofrimin e udhëzimeve për vendet anëtare.

Që nga anëtarësimi i saj në OBD, Kosova ka përmbushur standardet ndërkombëtare duke aderuar në Konventa të tjera të rëndësishme tregtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore