Gjykata Speciale

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Prokuroria pritet të përfundojë me dëshmitarët në prillin e vitit të ardhshëm


Ilustrim

Zyra e Prokurorisë së Specializuar në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, sipas zëdhënësit të Gjykatës Speciale, Michael Doyle, pritet t’i thërrasë të gjithë dëshmitarët e saj në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në prillin e vitit të ardhshëm.

Në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, deri më tani, sipas Doyle janë dëgjuar 85 dëshmitarë, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje, dhe 69 të tjerë me formë shkrimi.

Pasi Prokuroria të përfundojë me dëshmitarë, sipas Doyle, Trupi Mbrojtës pritet të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj, sipas tij, dikur në vitin e ardhshëm.

“Kështu që, pasi Prokuroria të përfundojë paraqitjen e rastit të saj, Mbrojtja do ta këtë mundësinë për të kundërshtuar rastin. Presim që dikur vitin e ardhshëm, Mbrojtja të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj”, ka thënë ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Doyle ka shtuar se një ndër prioritetet e gjykatësve është përshpejtimi i procesit gjykues, ndërsa ka thënë se zvogëlimi i listës së dëshmitarëve të Prokurorisë, për disa herë tashmë, është pozitiv për procesin.

“Një prej punëve kryesore të trupit gjykues është që procedurat janë të drejta dhe të shpejta. Kjo përfshin edhe dhënien e afateve kohore, për të cilat Prokuroria ka thënë se ju nevojitet kohë deri në prill të vitit 2025. Gjyqtarët po mundohem që gjykimi të përshpejtohet dhe duke i kërkuar Prokurorisë që ta shpejtojnë rastin sa më shumë që është e mundur, prandaj ka edhe zvogëlim të numrit të dëshmitarëve”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore