Kosova

S’preferojmë të bashkëpunojmë me LVV-në, PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet, thotë Krasniqi


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka potencuar se partia të cilën ai e drejton do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit me qëllim për t’i fituar ato.

“Për të marr besimin qytetar, për të dal e para dhe normalisht pas asaj nëse ka hapësirë për të diskutuar me partitë që janë të përafërta me bindjet tona politike programore, ideologjike dhe me programin që do ta bart [Bedri] Hamza”, ka thënë ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Krasniqi gjatë intervistës ka potencuar se PDK-ja nuk preferon të ketë çfarëdolloj bashkëpunimi me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Sepse hendeku mes nesh i të kaluarës, por edhe i tashmes është shumë i madh dhe nuk do të funksiononte një marrëveshje e tillë. Andaj fokusi jonë është qytetari, do të mundohemi që të marrim besimin e tyre, është verdikti i tyre ai që në fund vendos se kush duhet të qeverisë”.

PDK, sipas Krasniqit, nuk ka vija të kuqe me asnjë parti meqë në vlerësimin e tij “kur i thua dikujt kam vija të kuqe ndaj teje, ti e ofendon edhe i përjashton votuesin e tij”.

Krasniqi është shprehur i bindur që PDK-ja do të jetë ajo që do të krijojë shumicën shqiptare dhe shumicën parlamentare.

“Me respekt për komunitetet minoritare që do ta udhëheqin vendin pas 9 shkurtit 2025”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore