Kosova

“Bizneset dhe ekonomia po kthehen në trajektoren e rritjes”, thotë Murati


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës është duke shënuar rritje edhe në tre mujorin e dytë të këtij viti.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ekonomia ka shënuar rritje për 4 për qind.

“Pas rritjes së theksuar në tremujorin e parë me 5.62%, ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e dytë të këtij viti me 4.27% në terma realë sipas ASK-së, duke performuar dukshëm mbi projeksionet për rritje prej 3.8%-3.9%”, ka shkruar ai.

Sipas tij, rritje po shënojnë edhe bizneset.

“Pas ngadalësimit dhe uljes së inflacionit tani në nivelin prej nën 2%, aq sa është edhe synimi i Bankës Qendrore Evropiane, bizneset dhe ekonomia e vendit po kthehen në trajektoren e rritjes më të shpejtë, aty ku edhe nisëm pas pandemisë”.

Teksa, vlerësoi politikat që janë vendosur në qeverisjen Kurti.

“Ky është sinjal që politikat e qeverisë sonë për mbështetje të bujqve, për mbështetje të bizneseve prodhuese, dhe masave mbështetëse të punësimit po funksionojnë”.

Për dy herë radhazi gjatë muajit mars, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se në Kosovë janë hapur më shumë biznese të reja sesa që janë mbyllur duke thënë se “po e demanton propagandën”, e cila sipas tij po bëhet nga opozita.

Por, që nga njohësit e çështjeve ekonomike këto deklarata janë “jo profesionale” dhe “jo të qëndrueshme” në raport me realitetin.

Në programin katërvjeçar të Qeverisë aktuale të Kosovës qëndron zotimi për orientimin e ekonomisë kah prodhimi dhe eksporti.

Ministri Murati, gjatë gjithë kohës është arsyetuar me hapjen e bizneseve të reja, por që nga opozita është kritikuar për mbyllje të tyre për shkak të papunësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore