Kosova

Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjë nis më 25 shtator


Foto nga arkivi

Gjykimi ndaj 45 të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit të 2023-së, ku mbeti i vrarë rreshteri tashmë i shpallur hero nga institucionet e Kosovës, Afrim Bunjaku, do të nis me 25 shtator.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se seanca fillestare në këtë çështje penale është caktuar të mbahet me datë 25 shtator 2024, në ora 09:30. Gjyqtar i çështjes është Arben Hoti, gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë Gashi për AP.

Prokuroria Speciale e Kosovës, më 11 shtator, ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave lidhur me sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një konferencë për media, tha se pas përfundimit të hetimeve dhe pas grumbullimit të gjitha provave dhe njëkohësisht pas analizimit të secilës prej tyre duke u mbështetur në “dyshimet e mirëbazuara është ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm, konkretisht vepra penale kundër rendit kushtetues, financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave”, tha ai në një konferencë për media.

Për vonim të aktakuzës, Isufaj ka thënë se shkaku kryesor ishte vonesa në pranimin e rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendit.

Në anën tjetër Naim Abazi, prokuror i rastit, ka thënë se në mesin e të akuzuarve është edhe kryeterroristi, Milan Radojiçiç.

“Ndër të akuzuarit kryesor është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Milan Radojiçiç, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha ai në një konferencë për media.

Ndër të tjera Abazi, potencoi se gjatë kësaj periudhe janë realizuar “66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur”.

Sfidë në kryerjen e punëve ai e ka cilësuar mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash dhe përdorimin e teknologjive në aktivitetet kriminale nga të akuzuarit.

“Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast na ka shtyrë t’i kalojmë këto sfida. Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme, duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi e shpëlarja e parave”, ka deklaruar ai.

Çfarë ndodhi më 24 shtator?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston edhe një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i.

Raporti i detajuar i INTERPOL-it kundër Radojiçiç precizon me saktësi se “më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjë të komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake”.

Gjithashtu raporti nënvizon faktin se Radojiçiç dhe bashkëkryesit e tij bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës dhe sulmuan ata me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit.

Sipas INTERPOL-it, ka dyshime të arsyeshme që Radojiçiç në cilësinë e kreut të një grupi kriminal nga vitit 2017 deri në vitin 2023 nëpërmjet kontrabandës ka krijuar të ardhura të majme të cilat më pastaj i ka investuar në patundshmëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore