Kosova

Maqedonci: Investimi në kapacitetet profesionale dhe në armatim është prioritet


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se 20 kadetë të rinjë kanë nisur rrugëtimin e tyre në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke thënë se në këtë kohë sfidash për sigurinë globale dhe vendore, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake është esenciale.

“Katër vitet e radhës do të ndërtojnë bazamentit tuaj jetësor në aspektin fizik e mendor. Do të keni rastin që nga eprorët tuaj të mësoni teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj ashtu edhe për grupin që do të udhëheqni, andaj jeni të vëmendshëm!”, ka shkruar Maqedonci në rrjetin social ‘Facebook’. 

Ai ka thënë se nuk vlerëson asgjë më shumë sesa betimin e tyre për të iu përkushtuar atdheut.

Ndërsa ka thënë se janë angazhuar që FSK-ja t’i ngrisë kapacitetet e saj.

“Si Ministër i Mbrojtjes së bashku me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari me përkrahjen e Qeverisë jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme për investimin në ngritjen e kapaciteteve profesionale të ushtarakëve krahas investimit në armatime. Ju siguroj që do të keni gjithmonë përkrahjen time dhe të Qeverisë”.

Kërkesa e Maqedoncit, drejtuar kadetëve të rinj ka qenë që të përfitojnë nga njohuritë e eprorëve.

“Përfitoni nga përvoja e eprorëve tuaj për të ndërtuar aftësitë e nevojshme për të udhëhequr dhe për të fituar besimin në të ardhmen të ekipes që do e udhëheqin si oficer të Ushtrisë së Kosovës, përgatitjen fizike, sigurinë mendore e emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit”.

Më 1 gusht, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se në sondazhin për Ballkanin Perëndimor të Institutit Ndërkombëtar Republikan, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), është vlerësuar si institucioni më i besueshëm në Kosovë.

“Në sondazhin për Ballkanin Perëndimor të Institutit Ndërkombëtar Republikan, Forca e Sigurisë së Kosovës nga 86% e të anketuarve vlerësohet si institucioni më i besueshëm në Kosovë. Në këtë sondazh qytetarët e Republikës së Kosovës janë përgjigjur që kanë besim në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, kishte shkruar ai.

Ndër të tjera, ka potencuar se ky rezultat vjen pas përkushtimit që është bërë në këtë drejtim.

Buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për vitin 2024 është rreth 150 milionë euro. Ky buxhet përfshin investime në pajisje të reja, trajnim, dhe modernizim të kapaciteteve të FSK-së.

Ndërsa nga buxheti i vitit 2023 për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) ishin ndarë 123 milionë euro.

Buxheti i FSK-së për vitin 2022 kapte shumën prej 100 milionë eurove.

Ndërsa buxheti për vitin 2023 ishte diku rreth 20% më i lartë se ai i vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore