Kosova

Serbia e Albin Kurtit


Ilustrim: Albin Kurti

Që nga koha kur e mori pushtetin, gati 4 vjet më parë, Albin Kurti, para popullit të tij, e ka evidentuar një armik kryesor: Serbinë, duke shpërfillur kështu totalisht problemet reale me të cilat përballet shoqëria kosovare.

Për historianin dhe filozofin, Yuval Noah Harari, historikisht mënyra më e lehtë për të galvanizuar njerëzit në një kauzë të përbashkët ka qenë krijimi i një tregimi të bazuar në trillim.

Nëse një politikan, argumenton autori i disa librave bestseller të zhanrit “Big History”, do t’i tregonte popullit të gjithë të vërtetën për kombin e tyre, gjasa për të fituar zgjedhjet do të ishte minimale.

Andaj një burrështetas për të tërhequr vëmendjen e njerëzve dhe angazhuar ata në një rrëfim të caktuar në të shumtën e rasteve përdor ndenjën e frikës.

Aplikimi i frikës si një metodë daton që nga Epoka e Gurit.

Shqetësimi më i madh i një fisi në Epokën e Gurit, sipas Hararit, ka qenë se banorët nga fisi tjetër do të pushtojnë territorin e tyre apo do t’ua grabisin ushqimin.

Ky shpjegim i publicistit izraelit me referenca parahistorike zë vend edhe në kohët moderne.

Metoda e mobilizimit të shoqërisë kundër një armiku të jashtëm, sipas komentatorit politik, Afrim Kasolli po i krijon jo pak favore të brendshme Qeverisë aktuale në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerëson Kasolli, me këtë metodë e ka paralizuar totalisht kritikën opozitare.

“Kjo e fundit kryesisht ka pasur reagim reaktiv. Ndërkohë, duke e mbajtur gjallë temën sukseseve që pohon se e ka pasur në Veri, që nga ndalimi i dinarit, mbyllja e postave serbe, komunat ilegale e deri te sekuestrimi i vilave të Milan Radojiçiç-it, partia në pushtet ia ka arritur që në këtë mënyrë ta ekspozojë vetën si të ndryshme nga partitë opozitare që kanë qenë në pushtet”, thotë ai për Albanian Post.

Kritikat se e ka vendosur vendin nën masa sanksionuese si dhe në izolim përmes përdorimit të Serbisë si gogol, sipas Kasollit nuk e ka dëmtuar shumë reputacionin e Kurtit në publik.

“Përkundrazi, ato kanë filluar të shihen si një e keqe e domosdoshme në funksion të një të mire më të madhe siç është ‘çlirimi i Veriut’. E të mos flasim këtu për shumë dështime tjera në sferën sociale dhe ekonomike të kësaj qeverie, të cilat thuajse janë margjinalizuar plotësisht nga diskutimet publike”, shton ai.

Ky paradoks, argumenton Kasolli, vërehet në një fakt të thjeshtë, ku në shumë hulumtime qytetarët e Kosovës ndonëse i kanë listuar varfërinë, papunësinë, inflacionin si problemet e tyre kryesore, megjithatë janë të kënaqur me performancën e pushtetit.

Në anën tjetër për Petrit Zogajn, lëvizjet populiste si ajo e Vetëvendosjes, kur vijnë në pushtet e kanë problem që të prodhojnë rezultate në politika konkrete publike.

Andaj, ato, në këtë rast edhe Lëvizja Vetëvendosje, në vlerësimin e tij, zgjedhin narracione të ndryshme: Si keq qeverisja në të kaluarën apo pengesat që vijnë nga ajo që quhet “Deep State”.

“Disa vende zgjedhin si temë imigracionin (SHBA-të) të tjerët sovranitetin (Mbretëria e Bashkuar me BREXIT), të tjerët me imperializmin e huaj (Venezuela, Iran etj). Në krijimin e këtyre narracioneve nuk bën përjashtim as Kosova. Lëvizja Vetëvendosje në thelb ishte dhe mbetet një formacion politik populist, e qeverisja s’ka si të jetë ndryshe”, shpjegon komentatori politik për Albanian Post.

Duke u fokusuar tejmase në formulime të thjeshtëzuara populiste, ky formacion politik, sipas Zogajt, nuk ka ndërtuar asnjë strukturë politike brenda vetes, në mënyrë që me ardhjen në pushtet, të adresojë politikat publike në atë mënyrë qe rezultatet të mos mungonin.

“Pra, duke mos pasur program politik mbi politikat publike, në mungesë të theksuar të burimeve njerëzore për zbatimin e politikave të caktuara, Vetëvendosja ka zgjedhur që qeverisjen për këto katër vjet ta mbështes në pengesat që po i bëhen Kosovës nga jashtë. Serbia ka qenë mënyra më e lehtë dhe më efikase të të mbulohen dështimet, ta zëmë ne ekonomi, arsim, shëndetësi etj”, shton ai.

Serbinë dhe “pengesat” qe po vijnë nga ajo, partia në pushtet, beson Zogaj, do te bëjë çmos që ti shumëfishojë, t’i zmadhojë e t’i përsëris në publik, në mënyrë që të flitet më pak për ekonominë, të flitet më pak për pagat e minatorëve, për testin PISA.

Konflikti me Serbinë, sipas komentatorit politik, Shkodran Ramadanit ka formësuar jo vetëm identitetin kombëtar të Kosovës, por edhe psikologjinë shoqërore dhe kolektive të popullit tonë.

Veriu i Kosovës, në vlerësimin e tij, është një pikë nevralgjike në këtë konflikt.

“Çdo zhvillim në këtë rajon përcillet me reagime të forta emocionale, e ndonjëherë edhe me dhunë. Kjo ndodh sepse konflikti me Serbinë është një nga faktorët kryesorë që kanë kontribuar në formësimin e identitetit kombëtar të Kosovës dhe në ndjeshmërinë e saj shoqërore. Për këtë arsye, konflikti me Serbinë është një pikë e fortë reference për çdo politikan kosovar”, potencon ai për Albanian Post.

Thënë këtë, Ramdani vlerëson se kryeministri Kurti është një eksploatues i madh i këtij konflikti.

“Ai ka përdorur konfliktin me Serbinë për të avancuar agjendën e tij politike, sidomos në kohët kur ka dështuar në fusha të tjera të qeverisjes. Kurti ka instrumentalizuar Veriun e Kosovës dhe konfliktin me Serbinë për të mbajtur mbështetjen e tij politike, edhe pse në fund të fundit ai ka pranuar t’u japë serbëve të Kosovës autonomi politike që shkon përtej asaj që garantojnë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015”, shton.

Si tragjike në këtë mes Ramadani e cilëson faktin se si Lëvizja Vetëvendosje ende arrin të mbajë funksionale propagandën për Veriun e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore