Kampionate

Arsenal-i i ofron kryeministrit britanik vendin 10 mijë eurosh në ‘Emirates’


Sir Keir Starmer

Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, i është dhënë dhuratë përdorimi i një vendi në stadiumin “Emirates” për ndeshjet e Arsenal-it. Kryeministri, një tifoz i pasionuar i “Topçinjëve”, mori këtë dhuratë të çmuar nga klubi anglez për ta përdorur atë me familjen dhe truprojat e tij, raportoi “ITV News”.

Starmer është tashmë një mbajtës i biletave sezonale të Arsenal-it, por nuk ka mundur të ndjekë ndeshjet nga vendi i tij në tribunën perëndimore për shkak të masave të shtuara të sigurisë që kërkohen pasi ai u bë kryeministër në korrik.

Çmimet e vendit special në “Emirates” variojnë mes tyre, por shpesh i kalojnë 9 mijë paundë për ndeshje (mbi 10 mijë euro me kursin aktual).

Ky është vetëm i fundit në një varg të gjatë donacionesh për kryeministrin, që tashmë ka ngjallur polemika në debatin “Wardrobegate”.

Të dhënat befasuese të zbuluara së fundmi tregojnë se Starmer ka marrë më shumë dhurata se çdo deputet tjetër që nga viti 2019. Ai është quajtur “Sir Freebie” për pranimin e dhuratave dhe kartave me vlerë më shumë se 107,000 paundë që nga dhjetori 2019.

Duke folur për marrëdhënien e tij me “Topçinjtë”, Kryeministri tha këtë javë: “ Unë jam një tifoz i madh i Arsenal-it. Nuk mund të shkoj në tribuna për arsye sigurie. Pra, nëse nuk pranoj një dhuratë nga klubi, nuk mund të shkoj në një ndeshje. Por të mos mund të shkoj më për të parë Arsenal-in sepse nuk mund ta pranoj mikpritjen është vërtet shumë”.

Starmer ka deklaruar tashmë mijëra paund dhurata nga klubet, duke përfshirë 2500 paundë në bileta dhe mikpritjen nga Tottenham për një ndeshje kundër Arsenal-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore