Shqipëria

Seanca plenare nis me 1 minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani


Një minutë heshtja kanë mbajtur ligjvënësit shqiptar në nisje të seancës plenare të kësaj të 19 shtatorit.

Kjo në nderim të ish-deputetit demokrat, Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë si pasojë e një arresti kardiak.

“Bogdani shërbeu për dy legjislatura si deputet. Serioz, fjalëmatur, patriot, qytetar, ekselent në çdo pikëpamje. Ai do të mbetet i tillë në kujtesën e qytetarëve që u shërbeu me korrektesë, përkushtim dhe dashuri”, u shpreh kryeparlamentarja, Elisa Spiropali.

Pas kësaj deputetët demokratë u larguan nga salla në respekt të ditës së shpallur të zisë.

Ish-deputeti u përcoll sot për në banesën e fundit, ku Kuvendi mbajti homazhe.

Jetëshkrimi

Gert Bogdani lindi më 7 korrik 1980 në Tiranë dhe shërbeu si deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai ishte themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.

Karrierën politike e filloi në vitin 2007 ku kandidoi me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fitoi.

Gjate kësaj kohe vijoi edhe aktivitetin si zëdhënës politik i demokratëve.

Në vitin 2009, ai kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit, duke u zgjedhur si deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.

Dy vite më pas, Bogdani u zgjodh zëvendës president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nënkryetar.

Në shtator të vitit 2015, ish-deputeti do të caktohej si kryetar i IYDU-së, në Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mbante një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

Dy vite më parë ai garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për Bashkinë e Tiranës.

Gert Bogdani ishte parë si një mbështetje e fortë dhe e vazhdueshme të nismave politike dhe qytetare në mbrojtje të vlerave, trashëgimisë së Tiranës, lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, duke organizuar nisma të shumëllojshme më të rinjtë dhe diasporën shqiptare.

Reagimet

Largimi i papritur i Gert Bogdanit nga jeta, u prit me trishtim nga të gjithë aktorët shtetëror, politik dhe shoqëror.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ndau ngushëllimet e tij për familjen dhe të afërmit e Bogdanit gjatë mesazhit të tij në median sociale “Facebook”.

“Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit. Ngushëllime familjes së tij, bashkëshortes, të afërme, miqve dhe kolegëve!”, shkruan kreu i shtetit.

Sipas tij, Gerti Bogdani promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në BE.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, shprehu po ashtu keqardhje për ndarjen “kaq të parakohshme nga jeta” të ish-deputetit demokrat.

“Ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani”, theksonte kryeqeveritari në reagimin e tij.

Pas lajmit të trishtë, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbylli punimet e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

“Dhimbje e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani. Na trondite me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirti”, u shpreh Spiropali në reagimin e saj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti një lajm të zi largimin nga jeta të Bogdanit, teksa ka qenë duke mbajtur një konferencë për mediat.

“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues”, vërejti kryedemokrati. “Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara”.

Ish-kryeministri shtoi se kjo është një humbje e madhe për PD-në, por “është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare”.

Sakaq, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shkroi në një postim në rrjetet sociale se i ndjeri krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes, ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes.

“Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani”, nënvizoi Meta.

Drejtuesi Politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi, deklaroi se ikja e parakohshme e “një djali si Gerti, është një humbje e pazëvendësueshme jo vetëm për familjen e tij biologjike, por edhe për PD-në, familjen e tij politike dhe krejt shoqërinë tonë”.

“Gerti ishte një familjar, politikan dhe qytetar 24 karatësh! Tirana sot humbi një djalë model!”, ravijëzoi përfaqësuesi demokrat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore