Kosova

Çitaku: Serbia marrëveshje me SHBA-të, Gjermaninë e Francën, Kosova e izoluar e sanksionuar


Vlora Çitaku

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se përderisa Serbia nënshkruan marrëveshje me Gjermaninë, Francën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova është e izoluar.

Këto komente, Çitaku i ka bërë përmes një postimi në Facebook, të enjten, një ditë pasi që Serbia dhe SHBA-të nënshkruan Marrëveshje për Bashkëpunim Strategjik në Energji.

“Serbia dje e nënshkroi një marrëveshje me SHBA për investime strategjike në fushën e energjetikës. Kjo pas marrëveshjes me Gjermaninë për Litium, dhe me Francën për avionët e avancuar ushtarak”, shkroi Çitaku.

“E Kosova?”, pyeti ajo, “e izoluar, e sanksionuar, e përjashtuar”.

Kur miqtë tanë, shtoi ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, “ata pa ndihmën e të cilëve nuk do të ishim as të lirë e as të pavarur, që të gjithë, na thonë që jemi në rrugë të gabuar, është koha me e pa veten në pasqyre”.

“Nuk na ka faj kërkush. Biden i keq, Trump i keq, Mogerini e keqe, Borelli i keq, Greneli i keq, Lajcak i keq, Merkel e keqe, Scholz i keq, Macroni i keq, Rama i keq. Krejt na kanë faj. A po Albin? Vetëm ti e ke mirë. Ti edhe kush? Kush janë aleatët e tu Albin?  Se pa aleatë nuk mundet as Amerika”.

Albin Kurti, iu drejtua Çitaku kryeministrit, “Kosova është ma e madhe dhe më e rëndësishme se egoja jote”.

“Mashtrimit tënd po i vie fundi”, përfundoi ajo.

Çka ndodhi?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia kanë nënshkruar të mërkurën Marrëveshje për Bashkëpunim Strategjik në Energji.

Marrëveshja është nënshkruar në Beograd, në mes të nënsekretarit amerikan për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose W. Fernandez dhe Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.

Ky dakordim i dy shteteve përkatëse është për bashkëpunimin strategjik SHBA-Serbi në fushën e energjisë në Serbi.

“Kjo marrëveshje do të zgjerojë mundësitë për kompanitë amerikane për të investuar në sektorin energjetik të Serbisë, duke përfshirë promovimin e investimeve amerikane që do të forcojnë partneritetin strategjik SHBA-Serbi”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Aty theksohet se kjo marrëveshje “përfaqëson një përpjekje shumëvjeçare, që përfshin vëmendjen e ngushtë të specialistëve nga pesë agjenci amerikane”.

Ky angazhim i burimeve, sipas DASH-it, pasqyron mbështetjen e fortë të qeverisë së SHBA për investitorët amerikanë dhe projektet e energjisë së pastër, “si një mjet për të nxitur një tranzicion të gjelbër dhe një zhvillim të qëndrueshëm”.

ShBA-të, potencohet aty, mbështesin fuqimisht standardet e larta të hapjes dhe transparencës në prokurimet publike që përcaktohen nga organizata shumëpalëshe, duke përfshirë Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën Tregtare Ndërkombëtare (UNCITRAL), Botëror Banka dhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), dhe “inkurajon Serbinë që të bashkohet me ne në miratimin e këtyre standardeve”.

Impakti nga investimet e kompanive amerikane në energji në Serbi pritet që të jetë miliardësh.

Në Marrëveshjen e Uashingtonit (4 shtator 2020), e arritur nga ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në prani të ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, parashihej që të kishte edhe me Kosovën marrëveshje në fushën e energjisë.

Mirëpo, Kosova ka refuzuar zbatimin e kësaj marrëveshje. Madje, pushteti aktual, që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht Albin Kurti, e kishte konsideruar si të dëmshme për vendin.

Ndryshe, së fundmi Serbia ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme edhe me Bashkimin Evropian, për litiumin serb.

Po ashtu, marrëveshje Serbia ka nënshkruar edhe më një nga vendet më të fuqishme të BE-së, Francën, për blerjen e avionëve luftarakë “Rafale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore